Rikthehet Berisha, shpreh hapur ambiciet për kryetar të PD-së - NACIONALE

Rikthehet Berisha, shpreh hapur ambiciet për kryetar të PD-së

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sot është kthyer në selinë e Partisë Demokratike. Pasi Gjykata e Tiranës i ka njohur statutin e Kuvendit të PD-së të 11 dhjetorit të vitit të kaluar, ai ka dalë në zyrën blu ku ka shprehur hapur ambiciet e tij për ta marrë drejtimi e partisë.

Në një konferencë për mediat, Berisha ka bërë me dije se do të garojë për kryetar të PD-së, duke shtuar se gara do të jetë e hapur për të gjithë.

“Natyrisht, unë këtë e quaj si një hap të rëndësishëm në procesin e bashkimit të demokratëve sepse unë kam vlerësim për deputetët dhe grupin parlamentar. Unë e quaj të mundshme që do të ndodhë ajo. Unë do të jem në garë të hapur dhe ftoj cilindo koleg apo kolege, deputetë/e që dëshiron të garojë është i mirëpritur, i ftoj ata që kanë ndërmend të kandidojnë, të krijojnë ekipin, të përcaktojnë se çfarë rregullash dëshirojnë dhe ju garantoj se do të jetë gara më e hapur që ka ndodhur”, ka thënë Berisha.

Ai ka ftuar të gjithë demokratët të bashkohen me përpjekjet e Komisionit të Rithemelimit, të ngritur prej tij, për të rimëkëmbur të djathtën. “T’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit sot dhe të bashkohemi për interesin më të madh të vendit. Sot PD-ja është parti e të gjithë demokratëve, prej saj nuk ka dhe nuk mund të ketë të larguar. Nuk mohohet se partia kaloi një krizë për shërimin e të cilës është në detyrimin e çdo demokrati të kontribuojë. Pas 6 marsit kam marrë takime të përditshme me kryetarë të degëve të PD, të rretheve të ndryshme të vendit të cilët deri më 6 Mars nuk kanë mbështetur lëvizjen e nisur. Shpreh kënaqësinë dhe vlerësimin tim se në këto takime kam gjetur angazhimin e tyre të plotë për të kontribuuar në procesin e bashkimit të PD”, ka thënë Berisha.

Edhe në këtë konferencë Berisha është pyetur për shpalljen non-grata nga ShBA-ja, gjë që nuk i ka pëlqyer Berishës. “Pyetjen e ke të tepërt, në kuptimin që përgjigjen më të shkëlqyer të asaj pyetjeje ia kanë dhënë demokratët me votën e tyre të lirë. Marrëdhëniet e mia me SHBA-të janë dhe do të mbeten marrëdhënie të diktuara nga vlerat e lirisë, parimet e demokracisë që ndajnë popujt e lirë. Por meqenëse e shtron në këtë mënyrë, do të jap dhe një përgjigje të dytë. Kjo parti është parti e spektrit konservator dhe ka për partnere të saj Partinë Republikane. Ju jeni dëshmitarë se eksponentë ndër më të rëndësishmit të niveleve të larta të kësaj partie e kanë quajtur vendimin e sekretarit të shtetit, një vendim të mirëfilltë politik të diktuar nga Soros për të ndihmuar Edi Ramën”, ka thënë Berisha.

Berisha takohet me Alibeajn

Me t'u futur në zyrën blu, Sali Brisha është takuar me kryetarin e komanduar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, i cili ka qenë përkrahës i ish-kryetarit Lulzim Basha.

Berisha ka thënë se me Alibeajn kanë diskutuar për procesin e bashkimit të demokratëve.

“Takova dhe shtrëngova duart me Alibeajn dhe Bardhin dhe nuk ishte vetëm ky shtrëngim duarsh. Por ishte edhe diskutim për problemet. Në këtë diskutim kërkova angazhimin e tyre. Në procesin e tyre, në procesin e bashkimit. Kontributin e tyre dhe të çdo demokrati. Ajo çka gjykoj unë, është në detyrimin e të gjithë drejtuesve aktualë, është të dialogojnë dhe të debatojnë në grupin parlamentar të PD-së”, ka thënë Berisha.

Kurse, Enkelejd Alibeaj, ka treguar se çfarë ka biseduar me Berishën.

“Ajo se çfarë i thashë Berishës ishte kjo: PD, 30 vjet pas formimit të saj, nuk mund të mbrojë interesat e demokratëve duke pasur brenda saj një individ, një profil, që është etiketuar si ‘non grata’. Pikërisht për të eliminuar çfarëdo lloj emocionesh që nuk i bëjnë mirë demokratëve, do duhet, ia pohova, do duhet të gjejmë gjuhën e bashkimit. Cila është gjuha e bashkimit. Është ajo që kam thënë: Interesi i demokratëve, i pari. Cili është ky interes, një orë e më parë, të bashkohen, të bëhen dhe të rrëzojnë regjimin komunist të Ramës. Kjo nuk ka se si të bëhet me mënyra komuniste me metoda komuniste”, është shprehur Alibeaj.

Berisha nuk e ka përjashtuar mundësinë e takimit me ish-kryetarin Lulzim Basha.

“Sot është një ditë e opozitës e cila është tashmë e gatshme për një betejë të suksesshme ndaj këtij regjimi që po rrënon financat dhe reputacionin e shqiptarëve. Vota e lirë në PD do të jetë e garantuar për këdo që do të kandidojë. Ne nuk përjashtojmë asnjë njeri, edhe sikur të jenë kundërshtitë e mia më të mëdha, që kanë qenë me Lulzim Bashën. Por në rast se do ta dija që ishte në atë zyrë, nuk do të ishte pengesë për mua për të shkuar për t'i takuar. Ai është anëtar i PD-së, jemi të hapur ndaj çdo demokrati”, ka thënë Berisha.

Me vendimin e sotshëm, Gjykata e Tiranës i ka njohur aktet e Kuvendit Kombëtar të PD-së të mbajtur më 11 dhjetor 2021, nga grupi i Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike.

Lajme të ngjashme