Rezoluta 1244 dhe Arbitrazhi në Asociacion, çka thotë Lajçaku?
Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një intervistë ekskluzive për gazetën Nacionale, nënvizoi se çdo marrëveshje “bazohet në kompromise dhe i respekton për aq sa është e mundur vijat e kuqe të secilës palë”, pyetur rreth këndvështrimit të tij për Rezolutën 12/44 si referencë në Preambulë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe “komisionin e arbitrazhit”, të cilat shkaktuan “ngjarje sizmike” në peizazhin politik të vendit.
Duke qenë i qartë se çdo marrëveshje bazohet në kompromise, Lajçak theksoi rëndësinë e respektimit të linjave të kuqe të secilës palë.
“Çdo marrëveshje bazohet në kompromise dhe i respekton për aq sa është e mundur vijat e kuqe të secilës palë. Draft Statuti Evropian e reflekton këtë qasje të balancuar. Nga njëra anë, është i mbështetur fort në kornizën ligjore dhe për rrjedhojë edhe kushtetuese të Kosovës. Nga ana tjetër, i referohet Rezolutës 1244 të KS të OKB-së, e cila është ende në fuqi, si shprehje formale e opinionit apo vullnetit të organeve të Kombeve të Bashkuara”, tha Lajçak për Nacionalen.
Në lidhje me çështjen e arbitrazhit, Lajçak përjashtoi ndonjë ndërhyrje në rendin kushtetues të Kosovës dhe duke specifikuar që vendimet e komisionit nuk janë vendime gjyqësore, por mjet për zgjidhjen e konflikteve në fazën më të hershme të mundshme.
“Më lejoni të sqaroj tani dispozitën për komisionin e arbitrazhit në nenin 42 të draft Statutit të BE-së. Le të fillojmë me atë që nuk është: nuk është një nivel tjetër brenda gjyqësorit të Kosovës; nuk i zëvendëson organet dhe alternativat gjyqësore ekzistuese në Kosovë; dhe, vendimet që do të dilnin nga komisioni nuk janë vendime gjyqësore”, tha ai.
Në fund të fundit, ai bëri të qartë se fjalën e fundit do ta kenë gjykatat.
“Pra, para së gjithash parashikohet një mekanizëm për zgjidhjen e konflikteve për të adresuar çështjet në fazën më të hershme të mundshme; së dyti një mekanizëm ndërmjetësimi për të mos iu drejtuar sistematikisht gjykatave; dhe, së treti, një mjet që lejon të mos mbingarkohen gjykatat. Por në çdo rast fjalën e fundit do ta thonë gjykatat”, shtoi ai.