Respektimi i privatësisë në komunikimin publik, mbahet takimi i Grupit Punues Ndërinstitucional
Është mbajtur sot takimi i Grupit Punues për respektimin e privatësisë në kontekstin e komunikimit publik ku kanë marrë pjesë përfaqësues nga Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH), Policia e Kosovës (PK), Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) si dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).
Takimi është mbajtur në kuadër të angazhimeve për promovimin dhe respektimin e së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale.
Përmes një njoftimi për media, AIP ka treguar për temat që janë diskutuar.
“Takimi u fokusua në thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe në diskutimin e praktikave më të mira për mbrojtjen e të dhënave personale, në përputhje me detyrimet ligjore të përcaktuara me Ligjin Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Me theks te veçantë u diskutua- Zbatimi i Planit të Veprimit për zbatimin e Marrëveshjes së Mirëkuptimit nga drejtuesit e institucioneve; Hartimi i akteve nënligjore për mbrojtjen e të dhënave personale nga Prokuroria e Shtetit, Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës; Aktivitetet e realizuara nga Agjencia për Informim dhe Privatësi dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës; Garantimi i mbrojtjes së të dhënave personale të qytetarëve në informacionet e publikuara nga Policia e Kosovës”, është thënë në njoftim.