Reshje të dendura bore në ShBA, shkaktohet kaos në trafik - NACIONALE

Reshje të dendura bore në ShBA, shkaktohet kaos në trafik

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Reshje të dendura bore pati të martën në Shtetet e Bashkuara. Stuhia në fund të stinës shkaktoi kaos në trafikun e mëngjesit në pjesën verilindore të vendit.

Shkollat në jug të Anglisë së Re ose u mbyllën për këtë ditë ose e shtynë hapjen pas reshjeve të borës gjatë natës. Në disa zona pati reshje nga 17 deri në 20 centimetra borë në mëngjes, raporton agjencia “Associated Press”.

Reshjet e ndërlikuan qarkullimin e automjeteve dhe të njerëzve në mëngjes. Disa problem u raportuan në autostradat e zonës së Bostonit.

Shumica e anulimeve ose shtyrjes së fluturimeve ndodhën në pjesën verilindore të ShBA-së. Mbi 450 fluturime u anuluan në tërë vendin, ndërsa mbi 650 të tjera u shtynë, sipas një uebfaqeje për përcjelljen e fluturimeve.

Dhjetëra nxënës të shkollës fillore u bllokuan në një kamp shkencor në Crestline për gati një javë, por autobusët e përcjellë nga patrulla policore më në fund i evakuoi ata. Zjarrfikësit përdorën automjete të specializuara për borë për të arritur te njerëzit që kishin nevojë për kujdes kritik mjekësor.

Një paralajmërim për ortekë u lëshua për zonën në Liqenin Tahoe, ku priten reshje bore deri në 1 metër e 80 centimetra në dy ditët e ardhshme në pjesët më të larta, ndërsa era e fuqishme mund të krijojë valë deri në 1 metër e gjysmë të larta në liqen, tha Shërbimi Kombëtar i Motit.

Lajme të ngjashme