Repriza e pesë-a-gjashtë e filmit të VV-së me Srpska-n, ShBA përsërit se “gërryen partneritetin” - NACIONALE

Repriza e pesë-a-gjashtë e filmit të VV-së me Srpska-n, ShBA përsërit se “gërryen partneritetin”

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Filmi i vjetër, përfundimi i njëjtë, repriza e pesë-a-gjashtë: voto kundër certifikimit të Listës Serbe në KQZ, vijo çështja në PZAP, dhe rikthim nga fillimi për t’u miratuar pa kamera të ndezura, por me efekt të arritur në marrëdhënie me publikun, dhe mbërthim të partive opozitare në shantazh patriotik se “janë në harmoni të plotë me Listën Serbe”. Edhe kësaj here e njëjta gjë. Të shtunën Komisioni Qendror Zgjedhor nuk ua njohi rezultatin kandidatëve të Listës Serbe, duke i shpallur zyrtarisht rezultatet e partive, përveç të kësaj partie. Çështja është drejtuar në PZAP, dhe, paragjykueshëm, kthehet në miratim.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë e ka kritikuar veprimin e KQZ-së–Tre anëtarë kanë votuar për, dy kundër nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe anëtarët tjerë kanë abstenuar–duke iu kthyer fjalëve të kahershme për “gërryerje të partneritetit” Kosovë – ShBA. Ambasada tha për Radion Evropa e Lirë se kjo është “në kundërshtim me të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur në mënyrë demokratike përfaqësuesit e tyre” dhe vijoi të thotë se “çdo përpjekje për të shkelur këtë parim bazë minon partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”.

Saktësisht për të njëjtëm çështje Departamenti amerikan i Shtetit vitin e kaluar kishte ndaluar Dialogun Strategjik me Kosovës, duke e cituar arsyen e mësipërme. “Vendimi për të pezulluar dialogun strategjik bazohet tërësisht në veprimet e qeverisë kujdestare të Kosovës”, patën thënë nga DASh për Nacionale, ndërsa në një përgjigje për “Koha.net” ishin shprehur se “vija e kuqe” ishte çështja me Listën Serbe.

Organizata për Bashkëpunim dhe Siguri në Evrop, OSBE-ja, ka reaguar pas vendimit të KQZ-së se është duke e monituar çështjen nga afër.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë vëren se partia politike Lista Serbe ka paraqitur ankesën e saj në Panelin e Ankesave dhe Parashtresave Zgjedhore, në përgjigje të dështimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve javën e kaluar për të publikuar zyrtarisht votat e tyre të marra në zgjedhjet e dhjetorit 2025. Misioni thekson nevojën për pajtueshmëri të plotë dhe respektim të standardeve ndërkombëtare zgjedhore, në veçanti publikimin transparent dhe gjithëpërfshirës të rezultateve të zgjedhjeve, si një mjet për të siguruar siguri ligjore dhe trajtim të barabartë për të gjithë garuesit zgjedhorë. OSBE-ja do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet”, shkroi OSBE-ja.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka denoncuar ashpër veprimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke i cilësuar ato si "absurde" dhe të motivuara nga interesa politike. Në një postim në Facebook, Cakolli ka akuzuar KQZ-në për shkelje të rënda procedurale, duke filluar me shpalljen e rezultateve pa pritur përfundimin e afatit ligjor për ankesa, e më pas me publikimin e rezultateve "të pjesshme".

Ai mes tjerash ka kritikuar edhe anëtarët e partive tjera në KQZ që votuan kundër ose abstenuan, duke theksuar se ata që kishin dyshime të vërteta duhej të ankoheshin nëpër institucione, jo të bllokojnë vendimet brenda KQZ-së. "Situata nuk zgjidhet me votim politik brenda KQZ-së," ka deklaruar Cakolli, duke sugjeruar që disa anëtarë e shtynë vendimmarrjen duke e njohur epilogun ligjor të mundshëm në PZAP ose Gjykatën Supreme.

Lajme të ngjashme