Refuzimi “estetik”: Si nuk e pranoi Abdixhiku Kurtin në takim, sipas LDK-së? - NACIONALE

Refuzimi “estetik”: Si nuk e pranoi Abdixhiku Kurtin në takim, sipas LDK-së?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Përveç me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është takuar me ndonjë tjetër lider opozitar, ndonëse duket se ka pasur përpjekjeje për një gjë të tillë. Madje, Kurti ka dërguar ftesë në adresë të Lumir Abdixhikut, kryetar i LDK-së. Gjithnjë sipas rrëfimit të LDK-së, ftesa e kryeministrit Kurti është refuzuar.

Në një intervistë në RTV 21, Gazmend Muhaxheri, nënkryetar i LDK-së e njëherit edhe kryetar i Pejës, ka shpalosur disa detaje interesante të refuzimit të LDK-së ndaj Kurtit. Muhaxheri ka treguar se Kurti ka kërkuar takim të drejtpërdrejtë me Abdixhikut.

Muhaxheri ka treguar edhe arsyen, sipas tij, prapa kësaj kërkese për takim nga ana e Kurtit.

“Ka lyp edhe një takim të drejtpërdrejtë me zotëri Adixhikun për me bind me ja dhënë votat për më shku në zgjedhje. Pas darkës që e ka pas me liderin e PDK-së i është bërë edhe një kërkesë Abdixhikut për me pasë një takim të drejtpërdrejtë dhe ky i fundit ka refuzu se ne e kemi marrë një qëndrim se nuk ban me shku në këso lloj zgjedhje” – tha Muhaxheri në RTV21.

Gjatë intervistës, Muhaxheri ka vlerësuar se LDK-ja nuk do të gabojë më.

“Nuk do të gabojmë më, jo e besojmë qind përqind që nuk gabojmë, zgjedhjet e përcaktojnë se kush vjen në pushtet, por nëse na jepet mundësia me qeverisë ne e kemi programin me të cilin qeverisim dhe prioritet ish dashtë me kanë vetëm zhvillimi ekonomik dhe perspektiva Evropiane dhe Euroatlantike e Kosovës” – tha Muhaxheri.

Sjellim ndër mend që takimi në mes Kurtit dhe Krasniqit nuk është se solli ndonjë gjë të re në terrenin e zgjedhjeve të reja. Megjithatë, Kurti ka vazhduar të flasë për mundësinë e zgjedhjeve të reja.

Në një intervistë për “TV Kamenicën”, Kurti tha se mund të ketë zgjedhje në vjeshtë ose në dimër, por duke treguar një kusht. Sipas Kurtit, zgjedhje të reja mund të ketë nëse ka dakordim në mes të pushtetit dhe opozitës.

“Përderisa për zgjedhjet lokale dihet që afati është në vjeshtën e vitit të ardhshëm, për zgjedhjet parlamentare mund të jetë më herët, do të mund të jenë në vjeshtë ose në dimër, varësisht se a do të mund të ketë ndonjë dakordim me opozitën aktuale që të bëhet caktimi i muajit për zgjedhjet e reja. Unë tashmë ndodhem në vitin e fundit të këtij mandati dhe kanë ngelur edhe pak muaj, andaj edhe pata shprehur gatishmërinë që në njërën anë t’i kalojmë marrëveshjet ndërkombëtare të cilat janë të rëndësishme pavarësisht partive politike, dhe në anën tjetër të caktojmë datën që do të ishte e përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme. Nuk u bë në këtë pranverë, ta shohim çka do të sjellë vjeshta e ardhshme e dimri” – tha Kurti në Tv Kamenica.

Lajme të ngjashme