“Reflektim i vonshëm”; “kërko falje”; “dorëzohu në polici”: Nuk pranohen kritikat e Osmanit për Kurtin
Kritikat e presidentes Vjosa Osmani ndaj kryeministrit Albin Kurti nuk po merren seriozisht. Përfaqësuesit e opozitës dhe njohësit e rrethanave politike në vend mendojnë se kritikat e shefes së shtetit për shefin e Qeverisë janë shumë të vona.
Ata kanë bërë me dije se fjalim i presidentes, i mbajtur sot në Kuvendin e Kosovës, është dashur të mbahet edhe në vitet paraprake.
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se e para e vendit kritikat po bëhen në fund të mandati të saj.
“Unë mendoj se janë vërejtje shumë të vonshme të presidentes sepse ajo këto po i thotë në fund të mandatit të kësaj Qeverie, nuk i ka thënë asnjëherë deri më tani në tre fjalimet e saj që ka pasur në Kuvend dhe në këtë shumicë parlamentare. Unë mendoj se edhe vet presidentja është akterë ose pjesëmarrëse i gjithë këtyre ndodhive që kanë ndodhur nga ndërkombëtarët sepse edhe ajo deri më tani e ka përkrahë këtë kurs të Qeverisë”, ka thënë Mustafa për RTV 21.
As lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, nuk i ka marrë seriozisht kritikat e Osmanit për Kurtin.
Ai ka thënë se shefja e shtetit duhet të kërkojë falje.
“Nëse presidentja beson në atë që ka thënë, ne që katër vite i bëjmë thirrje presidentes që t’i thërras vetëdijes së vet, ndërgjegjes së vet dhe me i tregu qytetarëve se zhvillimet nuk janë mirë në vend nga kryetari. Ma mirë vonë se kurrë, por ka ndodh shumë zhvillime të dëmshme për vendin. Ka ndodh shumë bixhoz dhe pabesi ndaj Kosovës pikërisht nga ky koalicion, nga kjo shumicë të cilës i ka takuar edhe presidentja Osmani. Për këtë arsye ne sot nuk ishim në seancë. Ajo duhet t’i kërkojë falje Kosovës se pse e ka krijuar një shumicë të këtillë, pse e ka sjellë Kurtin në pushtet dhe e ka mbajte gjithë këto vite.”, ka thënë Haradinaj, raporton “Rtv21”.
“Ku ke qenë deri tash?”
Kritikat e presidentes nuk i kanë parë seriozisht as njohësit e rrethanave politike në vend.
Analisti Imer Mushkolaj ka vlerësuar se presidentja Osmani nuk mund të tërhiqet aq lehtë nga mbështetja e Kurti.
Në profilin e saj në “Facebook”, ai ka pyetur se ku ka qenë deri me tani e para e vendit.
“Jo presidente, nuk mund të tërhiqesh kaq lehtë. Ku ishe deri tash?”, ka shkruar Mushkolaj.
Edhe analisti Arton Demhasaj mendon se kritikat e Osmanit janë shumë të vona.
“Të qëndrosh brenda një “gëzhoje” nuk është imponim. Është zgjidhje. Një zgjidhje të tillë e ka bërë Presidentja Vjosa Osmani me vetëdije, duke qëndruar për katër vjet nën “gëzhojën” e Albin Kurtit, duke heshtur kur duhej të fliste dhe duke u “nënshtruar” kur duhej të udhëhiqte. Konkretisht, asnjë fjalë për dështimin në politikën e jashtme, asnjë fjalë për dështimin në politikën e brendshme. Reflektimi i vonë është vetëm simbolik. Nuk e shpërlan”, ka shkruar ai.
Edhe më i ashpër ka qenë gazetari Lirim Mehmetaj .
“Pas fjalimit te sotem te Vjosa Osmanit, e cila e pranoi tradhetine kombetare me vetedije, i vetmi hap i natyrshem i saj eshte vetedorezimi ne polici”, ka shkruar Mehmetaj.
Ndaj kritikave të Osmanit për Kurtin ka reaguar edhe gazetari Adriatik Kelmendi.
Ai ka thënë se fjalime të tilla e para e vendit është dashur të mbaj edhe në vitet tjera
“Presidentja Vjosa Osmani, sot në Kuvend, mbajti një fjalim shumë të mirë. I njëjti është dashur të mbahet në adresimin e saj të parë në Kuvend. Pastaj në të dytin. Të tretin. Dhe gjithmonë. Në fakt, kjo do të duhej të ishte filozofia e përhershme politike e Kosovës. Kishte qenë. Por jo edhe këto vitet e fundit. Kështu që mirë që Presidentja dha një fjalim të tillë në Kuvend. Të urojmë të mos jetë tepër i vonuar. Shumë gabime që janë bërë në raport me aleatët, ka gjasa të mos rikuperohen aq lehtë edhe shumë vjet!”, ka shkruar Kelmendi.