Reciprociteti i Kurtit veç fjalë, 20 milionë mallra serbe i japin të drejtë Halil Matoshit
Vlera e produkteve të importuara nga Serbia në Republikën e Kosovës ka pasur rritje drastike gjatë viteve 2021-2022.
Kryeministri Albin Kurti po i bën gati një vit që është në pushtet, por ende nuk e ka vendosur reciprocitetin e plotë me Serbinë, të cilin e kishte premtuar gjatë fushatës elektorale. Më saktë, më 12 shkurt të 2021-ës në një emision debatues.
Të dhënat e fundit të Doganës së Kosovë kanë treguar se vlera e produkteve të importuara nga Serbia në Republikën e Kosovës ka pasur rritje drastike gjatë viteve 2021-2022.
Sipas këtyre të dhënave, vetëm në muajin shkurt të këtij viti, në Kosovë janë importuar 24.5 milionë euro mallra serbe.
Kjo ka bërë që analisti politik Halil Matoshi ta krahasojë Qeverinë e Ramush Haradinajt dhe Albin Kurtit në raport me importimin e mallrave serbe. Vlen të theksohet, që Matoshi ishte pjesë e Qeverisë së Haradinajt.
"Në kohën e Qeverisë Haradinaj, Serbia shiste në Kosovë rreth 500 mijë euro mallra , e LV-ja rrotullonte kamionë, duke thënë stop prodhimeve serbe. Kurse sot Serbia shet në Kosovë mallra me vlerë 24 milionë e gjysëm, e LV thjesht blen!?", ka shkruar Matoshi në profilin e tij në Facebook.

Një krahasim i importeve në mes të vitit 2019 me vitin 2021, shfaq shumëfishim të të hyrave nga Serbia në Kosovë.
Në vitin 2018, konkretisht më datë 21 nëntor, Qeveria e Kosovës, në krye me Ramush Haradinajn, vendosi taksë 100% ndaj produkteve nga Serbia.
Kjo nënkuptoi se për çdo produkt që do të hynte në Kosovë, Serbia do të paguante 100% taksë për vlerën e tij.
Rrjedhimisht, importi nga Serbia ra ndjeshëm. Sipas të dhënave të publikuara nga Dogana e Kosovës, vetëm 500 mijë euro hynë nga Serbia në Kosovë përgjatë gjithë vitit 2019.
“Shihet që në të gjitha vitet, pra që kur ekziston CEFTA, se Serbia i ka vendosur Kosovës barriera jotarifore, pra jo një taksë si kjo që ka ndodhur nga ana jonë por për shembull ka kundërshtuar origjinën e mallit dhe vetvetiu malli i Kosovës ka pasur vështirësi të hyjë në Serbi. Pastaj ka vështirësuar dakordimin e analizave për çdo produkt që ka hyrë, ka vendosur procedurë të verifikimit, të analizës dhe e ka bërë të pamundshme që produkti të hyjë ose të transportohet. E ka penguar transportin, pra urat e dyfishta, ka përdorur plotë masa me të cilat Serbia nuk e ka respektuar CEFTA-n”, kishte deklaruar Haradinaj atëkohë.
Vendosja e taksës 100% nga Qeveria Haradinaj pati komente të ndryshme, por Vetëvendosje përkundër që e mbështeste në parim kishte kërkuar një masë edhe më të madhe (sic): reciprocitetin e plotë.
Reciprociteti, në të drejtën ndërkombëtare, konsiderohet si një parim i pranuar në mënyrë universale, ku një shtet miraton një sjellje të caktuar simetrike, si përgjigje ndaj një veprimi të ngjashëm, i cili është miratuar nga shteti tjetër.
Albin Kurti erdhi në pushtet më 3 shkurt të vitit 2020, duke lidhur koalicion pas-zgjedhor me partinë e dytë për nga numri i votuesve në ato zgjedhje, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
Ky koalicion nuk zgjati shumë, pikërisht për shkak të reciprocitetit të plotë i cili paralajmërohej nga Kurti por që frikësonte LDK-në dhe nevrikoste SHBA-të që po përpiqeshin të rifillonin dialogun me Serbinë. Ky dialog tashmë ka rifilluar por Reciprociteti si masë nuk është vënë asnjëherë në plotësi.
Pavarësisht kësaj, vetëm pak ditë pas rënies së Qeverisë, më 31 mars të vitit 2020, në rolin e Kryeministrit në detyrë, Kurti mori vendim për vendosjen e masës së reciprocitetit me Serbinë.
Me të ardhur në pushtet, më datën 6 qershor 2020, Qeveria Hoti shfuqizoi vendimet përmes së cilave është vendosur masa e reciprocitetit me Serbinë.
Fushata zgjedhore ishte mundësia e artë e Albin Kurtit që të proklamojë idetë dhe planet e tij. Kryefjala e fushatës zgjedhore ishte Reciprociteti.
Kjo dhe të tjera, bënë që Kurti të fitonte zgjedhjet e jashtëzakonshme me 51% të votave.
Por, kjo nuk kishte ndodhur dhe për shkak të mos-realizimit të këtij premtimi Halil Matoshi po përmend importin e mallrave të Serbisë.
Arsyetimi i Qeverisë Kurti II për çështjen është se nuk ka përgatitje të mjaftueshme për një gjë të tillë, edhe pse dihet që në fakt vendosja e masës nuk po bëhet për shkak të dialogut me Serbinë.
“Unë u kam shkruar letër të gjitha qeverive të Bashkimit Evropian dhe jo vetëm. Unë po pres përgjigjet e tyre dhe reciprociteti do të vendoset për shkak se nuk ka ndryshe, s’ka barazi pa reciprocitet. Mirëpo, me ministren tonë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe me doganat tona, që në këtë pranverë e kanë drejtorin e ri po përgatitemi që ta zbatojmë me sukses atë. Asnjë qeveri e mëhershme nuk ka zbatuar reciprocitet, ne kur ta zbatojmë reciprocitetin nuk guxojmë të dështojmë. E kemi theksuar edhe reciprocitetin tek të drejtat e pakicave”, kishte thënë Kurti.
Sidoqoftë, asgjë e re nuk ka ndodhur tash e një vit në këtë drejtim!