Reagon MPJ e Maqedonisë për incidentin e Osmanit: Pasi të bëhet analiza e duhur, do ndërmarrim veprime
Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka deklauar se kanë kërkuar informacione në lidhje me incidentin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani derisa po udhëtonte nga Aeroporti i Shkupit, ndërsa më pas do të dalin me një analizë.
Në një reagim nga MPJ, është thënë fillimisht se shprehin keqardhje në lidhje me keqkuptimet e ndodhura gjatë udhëtimit të së enjtes.
“Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës kanë marrëdhënie dhe bashkëpunim dypalësh pozitiv dhe konstruktiv, pa pyetje të hapura dhe me dialog të sinqertë dhe të vazhdueshëm në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat. Në këtë kontekst, shprehim keqardhjen tonë për keqkuptimet e ndodhura gjatë udhëtimit të djeshëm të Presidentes së Republikës së Kosovës SH.E. Vjosa Osmani në aeroportin ndërkombëtar në Shkup”.
Tutje, thuhet se kanë kërkuar informacion dhe se pas grumbullimit të të dhënave, do të ndërmerren veprimet dhe masat e nevojshme.
“Theksojmë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut tashmë ka kërkuar informacion nga të gjitha institucionet kompetente lidhur me ngjarjen e djeshme. Pasi të jetë bërë një analizë e duhur e të dhënave të grumbulluara në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, do të ndërmerren të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme, me qëllim kryesor shmangien e dukurive dhe situatave të tilla apo të ngjashme në të ardhmen.” – kanë thënë nga MPJ e Maqedonisë së Veriut.
Ndryshe, të enjten derisa po udhëtonte nga Aeroporti i Shkupit, presidentes Vjosa Osmani i është kërkuar nga sigurimi i aeroportit ta dorëzojë në skaner telefonin e saj. Megjithatë, ajo ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë.
“Një gjë e tillë është jashtë çdo praktike dhe bie ndesh me protokollet e sigurisë dhe praktikat ndërkombëtare, duke qenë se telefoni i Kreut të Shtetit dihet qartë se përdoret për komunikim zyrtar, përfshirë edhe për çështje të sigurisë. Në kundërshtim me këto standarde ishte edhe kontrolli i çantës së dorës së Presidentes, por ajo përkundër kësaj menjeherë e ka vendosur çantën në skaner.” – është thënë nga presidenca, në reagimin e fundit të tyre rreth kësaj çështje.
Ndërkohë, Kosova tashmë i ka dërguar Maqedonisë së Veriut notë proteste në lidhje me këto zhvillime:
“Ministrja Gërvalla ka paraqitur një notë proteste pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarim të menjëhershëm dhe të plotë për këtë incident. Njëkohësisht, është kërkuar që autoritetet maqedonase të ndërmarrin masa të menjëhershme për të hetuar këtë rast dhe për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”.