Reagon MPB pas vërshimeve, dërgon cisterna me ujë në Mitrovicë dhe Skenderaj
Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës ka reaguar pas vërshimeve në disa prej komunave të Kosovës.
Përmes një komunikate për media kanë njoftuar se përmes Qendrës Operative Emergjente, mbetet e angazhuar të sigurojë rrugët kryesore dhe alternative të qarkullueshme.
“Duke pasur parasysh që situata për momentin është më stabile, për shkak të ndërprerjes së reshjeve të shiut dhe rënies së niveleve të ujërave, Ministria e Punëve të Brendshme përmes Qendrës Operative Emergjente, mbetet e angazhuar të sigurojë rrugët kryesore dhe alternative të qarkullueshme, përmes AME-së dhe në koordinim me Ndërmarrjet Publike, të sigurojë ujë të pijes, si dhe të plotësojë nevojat të tjera të mundshme të qytetarëve nga zonat e vërshuara.” – thuhet në komunikatë.
Tutje nga MPB kanë njoftuar se janë dërguar cisterna me ujë në Komunën e Skenderajt dhe në Mitrovicë.
“Institucionet relevante kanë intervenuar në dy lokacione në Komunën e Skenderajt, në 4 lokacione në Mitrovicë, si dhe janë siguruar cisterna për ujë të pijes në këto dy komuna sipas kërkesave. Në Komunën e Klinës, në disa lokacione ka filluar intervenimi me pompa për largimin e ujit dhe varësisht nga kërkesat do të vazhdojë edhe në zonat tjera të kësaj komune.” – thuhet në komunikatën e MPB-së.
