Reagon Atiq pas sulmit ndaj dy kosovarëve: Qyteti ju përket të gjithëve dhe jo bandave kriminale
Kryetari i sapo zgjedhur i Mitrovicës Veriore, Erden Atiq ka reaguar pasi që grupet kriminale serbe kanë ushtruar dhunë ndaj dy kosovarëve.
Atiq përmes një postimi në Facebook ka thënë se dhuna e shfaqur në video shfaqë veprimet e grupeve kriminale që ka ndodhur ndaj shqiptarëve për vite me radhë.
Ai tutje ka thënë se qyteti i përket të gjithë qytetarëve dhe jo bandave kriminale.
“Akti i dhunës ndaj dy shqiptarëve në Mitrovicën e Veriut, i shfaqur tashmë edhe përmes videos, shpërfaqë veprimet e grupeve kriminale që kanë ndodhur ndaj shqiptarëve për vite me radhë. Veprimet e tilla kriminale janë të papranueshme dhe të dënueshme. Qyteti ynë ju përket të gjithë qytetarëve dhe asesi bandave kriminale që tentojnë ta mbajnë dhunshëm kontrollin mbi të. Qytetarëve tanë ju uroj shërim sa më të shpejtë. Pres zbardhjen e rastit nga organet kompetente dhe sjelljen e kriminelëve të tillë para drejtësisë.” – ka shkruar Atiq.
