Rasti Panda: Prindërit e të rinjve serbë të vrarë në Pejë injorohen keq nga Vuçiqi
Edhe njëzet ditë pasi i dorëzuan letër presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit, familjarët e të vrarëve në rastin Panda nuk janë kontaktuar nga askush nga presidenca serbe.
Prindërit e gjashtë të rinjve serbë të vrarë në kafeterinë “Panda” në Pejë më 1998 kanë qenë duke kërkuar një takim me Vuçiqin për gjashtë vjet. Vuçiq në vitin 2013 kishte thënë që masakra te kjo kafeteri nuk ishte kryer nga shqiptarët.
“Prej 5 shtatorit 2017, i jemi adresuar zyrës së Presidentit të Serbisë më shumë se 10 herë, duke kërkuar bisedë me Presidentin Vuçiq, megjithatë nuk kemi marrë asnjë përgjigje të vetme. Ne e dorëzuam kërkesën e fundit më 23 dhjetor 2022,” – u shpreh Ljubomir Ristiq, babai i Svetisllavit që ishte vrarë në moshën 18 vjeçare.
Ai theksoi se i kishin kërkuar edhe Zyres së Prokurorit që ta merrte në pyetje presidentin serb për informacionet që i kishte ndarë publikisht për rastin “Panda” por as kjo kërkesë nuk ishte pranuar.
Ristiqi u shpreh se familjet e djemve të vrarë në Pejë duhet të organizoheshin dhe të bënin “përpjekje shtesë” për ta takuar presidentin Vuçiq.
Deri më 28 dhjetor 2013, familjet e të rinjve serbë dhe i gjithë publiku kishin qenë të bindur se krimi ishte kryer nga anëtarë të UÇK-së. Por, në atë kohë Aleksandër Vuçiqi kishte thënë këto fjalë:
“Krimi në rastin ‘Panda’ nuk është kryer nga shqiptarët, siç kemi besuar deri tash. Publiku do të tronditet kur e vërteta të dalë në shesh.”
