Rasti i Faton Hajrizit, Haxhiu: Dënojmë vrasjen e policit, Serbia ka gisht në arratisjen e disa të burgosurve nga Kosova
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas vrasjes së Faton Hajrizit, i dyshuar për vrasjen e një polici serb në Loznicë, dhe plagosjen e një tjetri.
Përm snjë shkrimi në rrjetin social Facebook, ajo fillimiht ka thënë:
“Përdorimi etno-politik i aktit kriminal të vrasjes së një polici në Lloznicë nga ana e Qeverisë së Serbisë është i papranueshëm, i qëllimshëm dhe i parapërgatitur.
Nëpërmjet ish zëdhënësit të partisë së Sllobodan Millosheviqit (SPS), tash kryetar i saj dhe ministër i punëve të brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, u dha lajmi se i arratisuri nga burgu në Kosovë, Faton Hajrizi, i dënuar për disa vepra të rënda kriminale, është vrarë.”.
Haxhiu tutje ka thënë se për shkak të informacioneve “kundërthënse”, nuk mund të dihet me siguri nëse Faton Hajrizi është vrarë, dhe se ku saktësisht është vrarë.
“Informacionet këto ditë ishin kundërthënëse, andaj nuk mund ta dijmë me siguri, se a është ai njëmend i vrarë dhe nëse po, a është vrarë në territorin e Serbisë apo të Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë detajet tjera të rëndësishme e të nevojshme për hetim. Domosdo nevojitet hetim i gjerë e i thellë, për të zbardhur të vërtetën e këtij rasti.”.
Tutje, ministrja ka dënuar vrasjen e një polici dhe plagosjen e një tjetri.
“Aktet e ikjes së disa personave me precedent penal, që janë në vuajtje të dënimit apo në pritje të ekzekutimit të dënimit, janë shpeshtuar sistematikisht së fundmi në një mënyrë të tillë që më së paku do mund të kualifikoheshin si koincidencë. Akti i vrasjes të një polici e plagosjes së një tjetri në afërsi të Lloznicës në Serbi janë padyshim vepra të rënda kundër rendit, ligjit e policëve në detyrë zyrtare. Dënimi ndaj vrasjes së policëve është padiskutim akt i dënueshëm në çdo kuptim ligjor e moral. Ne dënojmë fuqishëm çdo veprim të tillë.” – ka thënë ajo.
Haxhiu ka bërë një ndërlidhje, ku sipas saj, personat e arratisur që po kërkohen nga Kosova, po ikin vetëm në Serbi. Ajo ka thënë se informacionet e organeve në Kosovë sugjerojnë që në disa raste, këto arratisje janë organizuar me grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit serb:
“E rëndësishme të potencohet fakti që arratisja e disa personave që po kërkohen nga institucionet përgjegjëse në Republikën e Kosovës po bëhet vetëm në një drejtim: atë të territorit të Serbisë. Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë. Ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës. Mburoja nuk jepet vetëm ndaj mos-ekstradimit por ndaj çfarëdo bashkëpunimi informativ me organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës. Një mbështetje e tillë është padyshim e qëllimshme, e organizuar dhe e lidhur me qëllimin për të dëmtuar rendin publik, kushtetues e ligjor të Republikës së Kosovës. Ofrimi i territorit të Serbisë si mburojë ndaj ndjekjes së organeve penale të Republikës tonë i shërben krimit dhe kontribuon hapur cënimit të stabilitetit institucional e ligjor të Republikës së Kosovës. Shpeshtimi sistematik i këtyre rasteve në këtë periudhë nuk ka asnjë kuptim tjetër përpos qëllimit politik agresiv të fqinjit tonë verior.”
Tutje, Haxhiu ka shkruar se përdorimi i këtij akti si shtysë për të krijuar nevojën e një kauze kundërsulmi ndaj shqiptarëve dhe institucioneve, është i papranueshëm dhe i qëllimshëm.
Në fund, ajo ka kërkuar hetim vendos dhe ndërkombëtar për “aktet sistematike të nxitjes dhe cytjes”, duke ofruar bashkëpunimin për këtë.
“Një hetim vendor dhe ndërkombëtar është i domosdoshëm që të hetojë aktet sistematike të nxitjes e cytjes, organizimit e bashkëorganizimit të arratisjes së të burgosurve, paraburgosurve e të të kërkuarve nga drejtësia në Kosovë, në territorin e Serbisë, dhe krijimin atje të një ambienti mburojë ndaj pandëshkueshmërisë e ndjekjes penale të kriminelëve nga organet e Republikës së Kosovës. Si ministre e drejtësisë, ofroj bashkëpunimin e plotë të shtetit tonë në këtë drejtim.” – ka thënë ajo.