“Rasti është kompleks”: Prokuroria e Mitrovicës flet për hetimet rreth drogës në komunën e Leposaviqit - NACIONALE

“Rasti është kompleks”: Prokuroria e Mitrovicës flet për hetimet rreth drogës në komunën e Leposaviqit

2 vjet më parë

nga Besian Beha

Nacionale gjatë javës së kaluar ka publikuar disa video-incizime të cilat dëshmonin se zyrtarë të komunës së Leposaviqit, ishin përfshirë në konsumimin e drogës brenda hapësirave të komunës.

Aty ishte edhe nënkryetarja serbe e komunës, Dragana Miletiq, e cila u shkarkua një ditë pas raportimit të Nacionales.

E kur kanë kaluar disa ditë nga publikimi i pamjeve, Prokuroria Themelore në Mitrovicë nuk ka pranuar të ofrojë shumë detaje. Ata kanë thënë për Nacionalen se janë duke zhvilluar hetime, por pasi rasti është kompleks, nuk mund të thonë diçka më shumë.

“Rasti është duke u hetuar nga prokuroria në bashkëpunim me policinë, dhe për shkak të kompleksitetit të rastit të dhëna tjera nuk mund të ofrojmë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Nacionale të gjitha materialet ua kishte dorëzuar institucioneve, pas urdhrit nga Prokuroria e Mitrovicës.

Këta të fundit një ditë pas publikimit të Nacionales, kishin theksuar se do të merren me të gjitha detajet e këtij rasti.

Dragana Miletiq e njohur me nofkën ‘Beba’ nënkryetare e komunës së Leposaviqit është shkarkuar pas publikimit të pamjeve nga Nacionale.

Në këto pamje, ajo shihej duke konsumuar substanca narkotike të llojit kokakinë.

Njëra prej videoeve duket të jetë realizuar në një nga banjot e objektit të komunës së Leposaviqit.

E në një tjetër video nënkryetarja e Leposaviqit shihet teksa konsumon drogë në zyrët e komunës, bashkë me një tjetër punëtor.

Vetë nënkryetarja kishte mohuar konsumimin e drogës, duke thënë se kjo po i bëhet “me agjendë nga Lista Serbe”.

“Të rreme. Të gjitha këto janë të shpikura prej qytetarësh të Listës Serbe për të kërcënuar emrin dhe pozitën time në Komunë (të Leposaviqit), si dhe punëtorët në Komunë të Leposaviqit”, ka thënë nënkryetarja e Leposaviqit për Nacionalen.

“Nuk është e vërtetë. Që nga fillimi i përfshirjes sime në këtë vend (në Komunë) ata kanë thurrur tregime të ndryshme vetëm për të më rrënuar mua, dhe veturës sime ia vunë flakën. Është e pabesueshme se sa presion kanë bërë mbi mua dhe emrin tim. Por, do të luftoj gjer në fund. S’më frikësojnë”, tha ajo.

Nacionale nuk u ndalë me kaq, pasi publikoi edhe pamje të tjera të zyrtarëve të tjerë që konsumonin drogë në këtë komunë.

Gjithashtu është suspenduar polici Pavle Radoviq pas kërkesës së Inspektoratit Policor të Kosovës.

I sipërpërmenduri bashkërisht me disa punonjës të tjerë të komunës shihen teksa konsumojnë substanca narkotike të dyshuara si kokainë.

Në videot që ka siguruar Nacionale, polici Radoviq shihet teksa drogohet në shoqërimin e punonjësve, e madje dëgjohen edhe zëra duke sharë: “f..k the police”.

Nacionale publikoi audio-incizime edhe Radoica Radomiroviq, zëvendësministri i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

Në këtë video, ai ofendon kryetarin e komunës, Lulzim Hetemin.

E ofendon me fjalën k** të thënë në gjuhën serbe. Kjo gjatë një diskutimi me drejtorin e Urbanizmit, Marko Jabllanoviq.

Lajme të ngjashme