Kohë shtyrjesh: Raportohet se nënsekretari amerikan Chollet anulon vizitën në Kosovë - NACIONALE

Kohë shtyrjesh: Raportohet se nënsekretari amerikan Chollet anulon vizitën në Kosovë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Nënsekretari amerikan i Shtetit, Derek Chollet, mësohet që nuk do të vizitojë fare Kosovën përkundër paralajmërimeve të shumta.

Ai ishte paraparë të vinte në vendin tonë pikërisht gjatë ditës së sotme për të zhvilluar një varg vizitash të rëndësishme në një kohë të zhvillimeve dramatike sa i përket dialogut në Bruksel. Por, zyrtari i lartë amerikan duket se ka shtyrë vizitën e tij.

Është gazeta Telegrafi që me anë burimesh ka mësuar që Chollet nuk ka udhëtuar fare drejt Kosovës, duke bërë që vizita të anulohet.

“...institucionet e Kosovës janë njoftuar sot në mëngjes se arsyeja e shtyrjes së vizitës së Derek Chollet ka ndodhur për shkak se ai është infektuar me Covid-19.” – shkruan kjo gazetë.

Vizita e tij mësohet se mund të bëhet në fillim të vitit 2023. Por, diplomati tjetër nga administrata Biden Gabriel Escobar megjithatë ka ardhur në Kosovë dhe sot pasdite do të zhvillojë takime me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Chollet ishte paraparë që të mbante takim edhe me krerët e partive opozitare në Kosovë në mëngjesin e nesërm.

Siç kishte raportuar gazeta Nacionale, vizita e tij ishte planifikuar të paktën një javë më herët – në një kohë kur ende nuk ishte marrë vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve të 18 dhjetorit.

Përveç Kosovës e Serbisë, Chollet kishte planifikuar vizita të rëndësishme edhe në vendet fqinje, përfshirë një në Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoni të Veriut dhe Kroaci. Një vizitë tjetër ai do ta zhvillonte në turin evropian edhe në Belgjikë.

Deri tash, Departamenti amerikan i Shtetit nuk ka lëshuar asnjë njoftim zyrtar në lidhje me anulimin e vizitës së z. Chollet ndërkohë që nuk ka as ndonjë deklaratë nga ana e zyrtarëve të lartë amerikanë si Gabriel Escobar.

Nacionale ka kontaktuar edhe me partitë opozitare për të kuptuar nëse takimi i nesërm është anuluar zyrtarisht por ata nuk kanë arritur që ta konfirmojnë një gjë të tillë deri në publikimin e këtij artikulli.

Çka pritej nga vizita e tij?

Këshilltari special, Derek Chollet do të kishte një detyrë shumë speciale në vizitën e tij në Kosovë. Ajo do të ishte që të bisedonte me presidenten Osmani e kryeministrin Kurti për shtyrjen e zgjedhjeve në komunat e veriut.

Zgjedhjet u shtynë, por vlen të përmendet se në veri të vendit, është ende një situatë tejet e tensionuar, me barrikadat që janë vendosur nëpër shumë pika atje.

Propozimi franko-gjerman, është një prej çështjeve për të cilën foli së fundi këshilltari Chollet. Kur u pyet në një intervistë për “Zërin e Amerikës” rreth kësaj çështje, ai tha se ShBA-të e mbështesin këtë proces, dhe një nga gjërat që do ta diskutojë me liderët në Kosovë, është pikërisht përkrahja ndaj BE-së në këto negociata.

Zhgënjimi

Kishte qenë fillimisht Departamenti i Shtetit Amerikan që ishte shprehur i zhgënjyer me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos shtyrë zbatimin e vendimit për target.

Në një postim në Twitter, Chollet po ashtu kishte “ndarë zhgënjimin e Amerikës me vendimin e Kosovës për të mos shtyrë vendimin për targa”.

Për “zhgënjimin”, ai foli edhe në intervistën dhënë para pak ditësh “Zërit të Amerikës”, ku përmendi, se ka pasur shumë biseda me kryeministrin e Kosovës.

"Bëhej fjalë për një çështje specifike, atë të zbatimit të vendimit për targat. Ne kishim pasur shumë biseda me kryeministrin dhe të tjerë për këtë çështje. Sekretari i Shtetit pati një bisedë me të.” – tha ai.

”Zhgënjimin” me Qeverinë e Kosovës, Chollet e kishte diskutuar edhe në një bisedë telefonike me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

“Mirë të flasësh me Presidentin Vuçiq. Ndava zhgënjimin tonë për vendimin e Kosovës që të mos shtyjë regjimin për tabelat e regjistrimit…” – deklaronte ai në një shkrim në Twitter.

S'do të ishte hera e parë në Kosovë

Kjo nuk do të ishte hera e parë që Chollet do të vinte në Kosovë. Për një kohë të gjatë, ai kishte punuar në Administratën e Bill Clitonit, ku shkruante fjalimet për ambasadorin amerikan në OKB, Richard Holbrooke.

Me këtë të fundit, ai kishte vizituar Kosovën vite më parë, gjë që e ka bërë të ditur vetë ai.

“Mezi pres të kthehem në Kosovë. Vizita ime e fundit atje, ka qenë me ambasadorin Holbrooke shumë vite më parë. Mezi pres të shoh miqtë dhe kolegët e mi atje dhe të bisedoj përsëri me presidenten dhe kryeministrin.” – i tha ai Zërit të Amerikës.

Ndryshe, nënsekretari Derek Chollet është një diplomat me përvojë që këshillon Sekretarin Antony Blinken për çështje të rëndësishme të politikës së jashtme.

Ai ka punuar edhe më herët në pozicione të ndryshme në Departmentin e Shtetit, e po ashtu edhe në Shtëpinë e Bardhë dhe Departmentin e Mbrojtjes.

Lajme të ngjashme