Raportohet se Gjykata Speciale ia ka bastisur shtëpinë ish-këshilltarit të Thaçit
E PËRDITËSUAR (13:49)
Gjykata Speciale ia ka bastisur shtëpinë ish-këshilltarit të Hashim Thaçit, Adil Behramaj. Bastisjen e ka konfirmuar për gazetën Nacionale avokati i Adil Behramajt, Artan Qerkini.
Ai ka thënë se bastisja po vazhdon, dhe se arsyet e bastisjet do të tregohen në fund.
“Bastisja është duke vazhduar. Unë kam qenë aty, tash e kam një përfaqësues timin. Arsyet i tregojmë në fund”, tha Qerkini.
Media të ndryshme po raportojnë se Gjykata Speciale ia ka bastisur shtëpinë ish-këshilltarit të Hashim Thaçit, Adil Behramaj.
Lajmi është raportuar nga Ekonomia Online, Insajderi e Gazeta Express.
Se ka bastisje ia ka thënë edhe një burim gazetës Nacionale, megjithatë nuk deri më tash nuk ka pasur konfirmim.
Nacionale i ka dërguar pyetje Gjykatës Speciale dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, dhe është në pritje të përgjigjes.
Bastisja e Adil Behramajt vjen dy vjet e gjysmë pas arrestimit të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nga Gjykata Speciale.
Ekipi i Nacionales ka shkuar në vendbanimin e Behramajt, megjithatë aty nuk ka pasur ndonjë lëvizje.
Në anën tjetër, Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë, kanë deklaruar se nuk komentojnë lidhur me hetimet e tyre.

Bastisja e fundit nga Specialja ishte bërë pikërisht në shtëpinë e Thaçit.
Nuk dihet se me çka mund të ketë e ndërlidhur kjo bastisje.
Vazhdimi i paraburgimit
Gjykata Speciale, ndonëse ishte ditë pushimi në Kosovë më 17 shkurt për shkak të përvjetorit të pavarësisë, kishte vazhduar punën e saj, përkundër që është gjykatë e Kosovës. Dhomat e Specializuara e kanë marrë një vendim pikërisht në Ditën e Pavarësisë, e i cili ka të bëjë bash me lexuesin e Deklaratës së Pavarësisë. Specialja ka vendosur t’ia vazhdojë paraburgimin ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit.
Në vendimin e publikuar sot, Gjykata Speciale thekson se arsyet e mbajtjes së Thaçit në paraburgim vazhdojnë të jenë të qëndrueshme. Sipas Prokurorit të Specializuar, në shumë rastë paraburgimi i Thaçit është parë si i justifikueshëm.
Pasi numëroi disa arsye për nevojën e vazhdimit të paraburgimit, Gjykata Speciale tregoi se çka saktësisht ka vendosur për Thaçin.
“Për arsyet e lartëcekura, Paneli nëpërmjet kësaj:
Urdhëron vazhdimin e ndalimit të z. Thaçit; dhe
Urdhëron ZPS-në të paraqesë parashtresat për shqyrtimin e radhës së ndalimit të z. Thaçit, jo më vonë se të hënën, 27 mars 2023, me përgjigje dhe kundërpërgjigje, duke ndjekur afatin kohor të paraparë në Rregullin 76” – shkruhet në vendimin e nënshkruar nga ana e gjyqtarit Charles L. Smith.
Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve pritet të fillojë më 3 prill. Pritet të jenë mbi 300 dëshmitarë, e Prokuroria ka kërkuar 2 vjet kohë për ta paraqitur rastin e saj.
