Sulm fizik ndaj gazetarit Valon Syla
Valon Syla, gazetari dhe analisti i emisionit Pressing në T7, është sulmuar mbrëmjen e sotme nga tre persona.
Siç raportoi Express, sulmi kishte ndodhur pak minuta pasi ai kishte dalë nga studioja e televizionit. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur para lokalit të quajtur "Image".
Nacionale ka kontaktuar me Policinë lidhur me rastin, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka marrë asnjë konfirmim.
Në një përgjigje për Insajderin, Syla ka konfirmuar rastin. Ai ka thënë se është sulmuar nga tre persona, ndërsa me detaje të tjera po merret Policia.
“Po ishin tre persona që më sulmuan. Rasti tashmë është në polici dhe po presim që të zbardhen detajet e tjera. Me shëndet jam mirë, nuk kam marrë lëndime të rënda”, ka thënë ai.
Nacionale përmes burimeve ka mësuar se Syla ndodhet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po trajtohet për lëndimet e marra.