“Raporti më i dobët”, “Flakaresh për Qeverinë”: Opozita e shqetësuar për gjetjet e Raportit të Progresit
Opozita ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës për të gjeturat që ka evidentuar Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2023.
Deputetët e tri partive opozitare kanë bërë me dije se ky është raporti më i dobët që ka marrë Kosova ndonjëherë. Në anën tjetër, Qeveria ka lavdëruar raportin, duke mohuar pretendimet e opozitës.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se ky raport është një flakaresh për Qeverinë Kurti.
“Mos funksionalizimi i Kuvendit tregon edhe instalimin e energjisë kriminale brenda institucionit më të lartë, duke shkaktuar mjegull sepse kështu arrihet më lehtë implementimi i kauzave shkatërruese dhe përçarëse të një personi i cili në pushtet paska ardhur me bindjen se të gjitha çështjet janë kryer dhe ky mjafton të tregoj përralla. Tani ky raport i progresit për vendin tone i jep një flakaresh të forte në fytyrë kësaj qeverie e cila përveç fjalë, rrena dhe propaganda për tre vjet qeverisje me shumicë votash, nuk ka arritur të shtyjë përpara asnjë nga premtimet e saj. Dhe kjo ngecje, i ka kushtuar Kosovës në të gjitha agjendat e saja kombëtare dhe ndërkombëtare”, ka thënë ajo.
Në adresimin e saj, ajo ka përmendur kritikat që raporti ka për Kuvendin.
“Tutje raporti i progresit thotë: ‘Kuvendi duhet të përmirësoj menaxhimin e brendshëm, të funksionalizoj votimin elektronik dhe të hartoj planin vjetor të punës’. Të them të drejtën kur e lexon raportin se din njeri a me qesh a me qajtë. Ky përshkrim tregon qartë mungesën e përgjegjësisë dhe të seriozitetit të këtij pushteti me institucionin më të lartë në vend, me institucionin nga i cili marrin drejtim të gjitha institucionet dhe agjendat shtetërore. Ky përshkrim tregon shumë qartë, se kjo parti e ky pushtet po tallet me vendin dhe me te ardhmen tonë”, është shprehur Musliu.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti për gjetjet e Raportit të Progresit.
Ai ka thënë se ky raport është vlerësimi më i dobët që ndonjë qeveri e ka marrë ndonjëherë.
“Është vlerësimi më i dobët e më i rreptë që ndonjë qeveri e ka marrë ndonjëherë. Kjo, pasi Kurti pati fjalë të mëdha për integrimin evropian, e në atë kohë pati vendosë Besnik Bislimi. E unë në atë kohë i pata thënë, kujdes kryeministër se i ke jep shumë punë Bislimit. Nuk mundesh me qenë edhe zëvendëskryeministër edhe për integrim evropian, pasi dihet se ka shumë punë. Prej fillimit është nis ky proces gabim. Kryeministër ky raport ia ka dhënë një diagnozë politikës suaj. Ka thënë se kjo Qeveri është qeveri e regresit për integrime evropiane”, është shprehur Tahiri.
Ndërsa, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka bërë me dije se reagimi i Qeverisë ka lënë të kuptohet se raporti nuk ka qenë i mirë po Kosovën.
“Nuk kemi arritur nga qeveria të shohim mendime për këtë raport që pasi vitin e kaluar menjëherë si është publikuar kanë dal me deklarata. Kjo tregon që raporti nuk është i mirë”, ka thënë Krasniqi.
Qeveria lavdëron Raportin e Progresit
Qeverisë së Kosovës nuk i kanë bërë përshtypje kritikat e opozitës.
Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ka mohuar pretendimet e Qeverisë.
Ai ka vlerësuar se raporti konstaton agjendën ambicioze të Qeverisë Kurti.
“Sipas analizës sonë, janë disa arritje në segmentin e kritereve politike, më përkatësisht në fushën e qeverisjes, drejtësisë dhe sundimit të ligjit, por edhe luftimit të korrupsionit, të cilat është dashur të vlerësohen e të theksohen më shumë në këtë raport, meqë janë të arritura me shumë rëndësi për një shoqëri demokratike, dhe për më tepër, janë rekomanduar në vetë raportin e vitit të kaluar”, ka thënë Bislimi.
Sipas tij, raporti dëshmon arritjet në disa çështje.
“Ky raport, mes tjerash, konstaton se Qeveria ka vazhduar me agjendën e saj ambicioze të reformave drejt BE-së…Raporti dëshmon arritje të rëndësishme në disa çështje”, është shprehur Bislimi.