Raporti i IRI: Papunësia problemi më i madh për kosovarët, e duan Thaçin më shumë se Osmanin
Instituti Republikan Ndërkombëtar ka publikuar raportin e fundit nga rezultatet e anketave të realizuara në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor nga dy shkurti deri më pesë mars 2024.
Siç thuhet në hyrje të këtij raporti, aty ofrohet një paraqitje e shkurtër mbi dinamikat që ndikojnë në zhvillimin e rajonit. Më e rëndësishmja, të dhënat tregojnë prioritetet e qytetarëve, që përfshijnë gjithnjë e më shumë lidhje më të ngushta me perëndimin.
Nacionale më poshtë ua sjellë disa prej pjesëve kryesore të këtij raporti për Kosovën.
Cili është problemi më i rëndësishëm me të cilin përballet vendi?
29 për qind të qytetarëve të anketuar u përgjigjen me “papunësia”, 28 për qind të tjerë, me koston e jetesës dhe çmimet e larta.
Shtatë për qind me korrupsioni, gjashtë për qind me emigrimi dhe pesë për qind me shëndetësinë.
Cila çështje duhet të jetë prioritet kryesor për Qeverinë?
Çmimet e larta dhe kostoja e jetesës duhet të jenë prioritet kryesor që duhet adresuar sipas 25 për qind të anketuarve, ndërsa 24 për qind u përgjigjen me ekonominë – papunësinë.
Korrupsioni sipas shtatë për qind dhe shëndetësia sipas shtatë për qind po ashtu.
Kush është politikani apo zyrtari publik që i besoni më së shumti?
36 për qind u përgjigjen me Albin Kurtin, kryeministër aktual i Kosovës. Pesë për qind dhanë emrin e presidentes Vjosa Osmani, ndërsa 10 për qind, u përgjigjen me emrin e ish-presidentit Hashim Thaçi.
Kë e konsideroni aleatin kryesor të shtetit?
80 për qind të kosovarëve të anketuar për këtë raport, u përgjigjen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjashtë për qind thanë Shqipëria, pesë për qind Gjermania dhe tre për qind Turqia.
Cilin shtet e konsideroni si kërcënimin më të madh për shtetin?
83 për qind të kosovarëve në këtë anketë u përgjigjen me Serbia.
Tetë për qind të tjerë ndërkaq, thanë Rusia. Çuditërisht, nga një për qind e qytetarëve të anketuar, në këtë pyetje janë përgjigjur me ShBA-të dhe Shqipëria.
Cili duhet të jetë drejtimi i politikës së jashtme të shtetit?
Vetëm pro Bashkimit Evropian dhe Perëndimit, thanë 87 për qind të qytetarëve të anketuar.
Nëse sot do të mbahej një referendum që shteti t’i bashkohet BE-së, si do të votonit?
89 për qind të anketuarve janë përgjigjur me “PRO”, dy për qind me “Kundër”, gjashtë për qind nuk do të votonin, derisa tre për qind janë përgjigjur me “nuk e di”.
Si do ta vlerësonit përformancën e Qeverisë së vendit?
Shumë mirë, kanë thënë 29 për qind të të anketuarve. Disi mirë, u përgjigjen 35 për qind, derisa 19 për qind thanë disi keq.
Shumë keq ndërkaq, u përgjigjen 14 për qind të të anketuarve dhe “s’e di”, katër për qind.