Raporti i DnV-së: VV bosht të fushatës veriun, opozita fokusohet në arsim, ekonomi, shëndetësi e infrastrukturë - NACIONALE

Raporti i DnV-së: VV bosht të fushatës veriun, opozita fokusohet në arsim, ekonomi, shëndetësi e infrastrukturë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Koalicioni i OJQ-ve, Demokracia në Veprim, në një konferencë të mbajtur të shtunën, ka paraqitur të dhënat në lidhje me mbarëvajtjen e dy javëve të fushatës zgjedhore.

DnV ka monitoruar 377 tubime publike, 217 prej tyre gjatë javës së dytë të fushatës. Në raportin e publikuar tashmë, thuhet se me numrin më të madhë të aktiviteteve po prinë Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Në tërësi, gjatë dy javëve të para, DnV ka monitoruar 377 tubime publike (160 në javën e parë, ndërsa 217 aktivitete tjera në javën e dytë) të subjekteve politike, në të gjitha komunat e vendit, duke përfshirë edhe ato me shumicë serbe. Me numrin më të madh të aktiviteteve po vazhdon të prijë LDK-ja me 109 aktivitete, ndjekur nga PDK-ja me 106 aktivitete, LVV-ja me 71 aktivitete, si dhe AAK-ja me 54 aktivitete. Aktivitete kanë mbajtur edhe subjektet tjera si Lista për Familjen, si dhe subjektet e komuniteteve tjera, si Lista Serbe, Za Slobodu Pravdu i Opstanak, Srpska Demokratija, IRDK, PRBKetj” thuhet në raport.

Mesazhet politike

Në një pjesë tjetër, përmenden edhe mesazhet politike të dhëna nga partitë politike ku çështjet kryesore janë arsimi, ekonomia, infrastruktura, mirëqenia sociale dhe shëndetësia.

Lëvizja Vetëvendosje, është vërejtur se bosht të fushatës ka pasur veriun, me 53 raste.

“Top temat dhe çështjet e trajtuara gjatë fjalimeve apo mesazheve politike mbeten arsimi, ekonomia, infrastruktura, mirëqenia sociale dhe shëndetësia. Parë sipas partive, vërehet orientim i ndryshëm i temave të fushatës, mes partisë në pushtet dhe atyre në opozitë. Derisa Lëvizja Vetëvendosje, tema bosht të fushatës ka vijuar t’i ketë veriun e vendit (53 raste) dhe mirëqenien sociale (50 raste), partitë opozitare janë fokusuar më shumë tek tema si arsimi, ekonomia, shëndetësia e infrastruktura. Të tri subjektet opozitare, LDK (87 raste), PDK (86 raste) dhe AAK (40 raste) e kanë pasur temë qendrore të fushatës së tyre arsimin. .Kryesisht mesazhet politike kanë vijuar të shpalosen nga liderët dhe persona të caktuar të partive, pa iu dhënë mundësia të gjithë kandidatëve që vinë nga komunat përkatëse ku po mbahen aktivitetet” – thuhet aty.

Liria e shprehjes dhe informimit

Sa i përket mediave, Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon t’i bojkotojë shumicën e mediave private.

“Kronikat zgjedhore janë dominuar përgjithësisht nga subjektet e mëdha, ku 277 nga 345 kronikat e monitoruara janë për këto subjekte – PDK-171, LDK-169, Koalicioni AAK/NISMA-154 dhe LVV-151.

Sa i përket hapësirës brenda subjekteve, pjesa më e madhe i është kushtuar kandidatëve për kryeministër dhe liderëve të listave garuese, me gjithsej 414 minuta” – thuhet në raport.

Po ashtu, ka vazhduar trendi i përdorimit së gjuhës së urrejtjes dhe nxitëse, ku prin VV-ja në rreth 25 për qind të aktiviteteve.

“Trendi i përdorimit të gjuhës dhe diskursit nxitës apo të urrejtjes në fushatë, ka vijuar edhe gjatë javës së dytë, pavarësisht gjobave të shqiptuara nga PZAP-ja pikërisht për raste të tilla. Deri më tani, në 62 aktivitete (rreth 20% e numrit të përgjithshëm të aktiviteteve) të monitoruara nga DnV-ja, janë raportuar raste të përdorimit të gjuhës nxitëse apo të urrejtjes mes partive dhe kandidatëve të tyre. Në raport me numrin e aktiviteteve të mbajtura, prin Lëvizja Vetëvendosje – në rreth 25% e aktiviteteve të së cilës ka pasur përdorim të gjuhës nxitëse apo së urrejtjes, kryesisht mbi baza politike. Tutje, renditen LDK (20% të aktiviteteve), AAK (rreth 18% të aktiviteteve) dhe PDK (rreth 11% të aktiviteteve)”.

Lajme të ngjashme