Raporti i DASh-it: Kosova të shqiptojë dënimet e duhura për trafikim me qenie njerëzore - NACIONALE

Raporti i DASh-it: Kosova të shqiptojë dënimet e duhura për trafikim me qenie njerëzore

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për trafikimin e qenieve njerëzore në mbarë botën. Edhe në raportin e vitit 2024, Kosova ka ruajtur pozitën e saj në nivelin e dytë, duke dëshmuar progres në disa drejtime, por edhe stagnim në përmbushjen e standardeve minimale në disa fusha kyçe.

Raporti vlerëson përpjekjet në 188 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, për të luftuar trafikimin, për të ndjekur penalisht shkelësit dhe për të mbështetur viktimat.

Sekretari i Shtetit Anthony Blinken theksoi gjatë prezantimit të raportit rëndësinë e këtyre masave në përmbushjen e angazhimit të Presidentit Biden për trajtimin e këtij krimi të përhapur.

Raporti vlerëson përpjekjet e shtuara të Kosovës në fusha të caktuara, siç janë dënimet për trafikantët dhe iniciativat e zgjeruara parandaluese.

Megjithatë, në raport theksohen edhe mangësi në këtë drejtim, duke përfshirë më pak ndjekje penale dhe mbështetje të pamjaftueshme për viktimat e trafikimit, veçanërisht në identifikimin dhe ofrimin e shërbimeve për ata që kanë nevojë.

“Qeveria hetoi dhe ndoqi penalisht më pak të dyshuar dhe identifikoi më pak viktima. Edhe pse gjyqtarët dhanë dënime më të forta, dënimet megjithatë ishin nën dënimin minimal të parashikuar nga Ligji kundër trafikimit”, thuhet në raport, raporton Zëri i Amerikës.

Raporti i kategorizon vendet në tre nivele bazuar në respektimin e standardeve minimale kundër trafikimit. Niveli i parë përfshin shtetet që janë plotësisht në përputhje me këto standarde.

Niveli i dytë përfshin vendet që bëjnë përpjekje të konsiderueshme, por që nuk përmbushin plotësisht standardet. Niveli i tretë përfshin vendet që bëjnë përpjekje të pamjaftueshme në luftën kundër trafikimit.

Rekomandimet

Rekomandimet kryesore nga raporti i kërkojnë Kosovës që të intensifikojë përpjekjet në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të trafikimit, sigurimin e dënimeve të merituara për autorët dhe përmirësimin e sistemeve të identifikimit dhe mbështetjes së viktimave.

Trajnimi i avancuar për personelin gjyqësor rreth zbatimit të ligjit këshillohet gjithashtu për të forcuar reagimin ndaj krimeve të trafikimit.

Progresi në ruajtjen e privatësisë së viktimës për të shmangur shpërndarjen e informacioneve gjithashtu theksohet në raport.

Lajme të ngjashme