“Raportet mes të gjithë avokatëve janë pozitive”: Avokati i Rexhep Selimit thotë se ende s’kanë vendosur për dëshmitarët që do t’i ftojnë
Avokati i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, nga Haga, ka përshkruar sfidat që ka pasur Selimi tash e 5 vjet në paraburgim.
Duke ditur se për më shumë se një vit, ka kufizime strikte edhe për vizita e telefonata, avokati tregoi se do të bëjnë kërkesë që kjo të ndryshojë.
“Çështja e regjimit të vizitave për Z. Selimi është shumë e rëndësishme si për ne si për Z. Selimi, familjen dhe miqtë që e vizitojnë atë dhe është dika për të cilën shpresojmë të ndryshojë deri në përfundim të çështjes së Prokurorisë. Kjo është diçka që i përket Trupit Gjykues për ta vendosur dhe patjetër që me përfundimin e rastit nga ana e Prokurorisë dhe faktit që më nuk ka dëshmitarë të Prokurorisë ne do të propozojmë ndryshimin e rrethanave të cilat potencialisht do të qonin në ndryshimin e regjimit në paraburgim por kjo i përket Panelit për ta vendosur”, tha ai.
Avokati i Selimit kujtoi se Tribunalet e tjera në të kaluarën, në situatën kur kanë përfunduar dëshmitarët e Prokurorisë, i kanë zbutur masën e paraburgimit personave të akuzuar.
“Kjo është një pyetje e ngjashme. Konsiderojmë se tash janë bërë 2 vjet nga fillimi i çështjes së Prokurorisë, ua kemi dëgjuar të gjitha provat dhe dëshmitarët në sallën e gjykimit. Sërish kemi të tjera dokumente të ndryshme të cilat Prokuroria po synon t’i pranojë, por në këto rrethana Tribunalet e tjera i kanë lejuar individët që të lirohen me kusht apo përkohësisht në faza të caktuara të procesit. Kjo është njëra nga ato faza kur mund të parashtrohet një kërkesë e tillë”, tha më tutje avokati.
“Ne nuk presim që Mbrojtësi i Viktimave të marrë shumë kohë për ta paraqitur rastin e tyre, ndoshta pak muaj, ndoshta më pak, është vështirë të dihet. Shpresojmë të kemi një konferencë statusore në të ardhmen e afërt dhe pas përfundimit të rastit të prokurorisë të jemi në gjendje të caktojmë oraret se çfarë ndodh tutje me rastin e viktimave dhe potencialisht me rastin e Mbrojtjes. Dhe në atë fazë do të jemi në gjendje të dimë nëse lirimi i përkohshëm do të jetë diçka e mundur apo jo”, theksoi Roberts.
Avokati i Rexhep Selimit ka komentuar edhe bashkëpunimin që kanë pasur me ekipet e avokatëve të tjerë.
“Të gjitha ekipet mbrojtëse janë shumë profesionale me njëra tjetrën, ne mund të kemi situata apo interesa të ndryshme, fokus të ndryshëm në parashtresa të caktuara por sigurisht që bashkëpunimi dhe raportet ndërmjet ekipeve mbrojtëse kanë qenë shumë pozitive dhe nuk shohim ndonjë arsye që kjo të mos vazhdojë deri në fund të procesit”, tha ai.
“Ne të gjithë përfaqësojmë të akuzuar të ndryshëm, të gjithë kemi interesa të ndryshme, natyrisht se në aktakuzë përfshihen të gjithë dhe përmenden së bashku duke u pretenduar si pjesëtarë të një Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale. Ne kemi strategjinë tonë dhe do ta kemi qasjen tonë. Disa dëshmitarë që mund të thirren do të ishin në dobi të të gjitha ekipeve mbrojtëse, gjithnjë nëse ka nevojë të thirren këta dëshmitarë. Disa mund të lidhen me një ekip individual të Mbrojtjes. Sigurisht neve na përputhen interesat por jo çdo herë kemi interesin e njëjtë dhe jo të gjitha llojet e njëjta të provave të cilat mund të kemi nevojë t’i kundërshtojmë”, deklaroi avokati Roberts.
Video: