Raport i zymtë për ekonominë e Kosovës nga FMN-ja: Rritje e dobët, deficiti po zgjerohet, inflacioni po rritet
Në raportin e publikuar më 1 prill 2026, Fondi Monetar Ndërkombëtar paraqet vlerësim të zymtë për ekonominë e Kosovës.
Pas një viti bllokade politike, thuhet në raport, “aktiviteti ekonomik është moderuar, ndërsa presionet e inflacionit janë intensifikuar”.
Rritja ekonomike u ngadalësua në 3.6 për qind në 2025, nga 4.6 për qind një vit më parë.
Sipas raportit, kjo reflekton “eksporte më të dobëta neto dhe kërkesë private më të butë”, të kompensuara pjesërisht nga shpenzimet publike.
Inflacioni ka vijuar rritjen, duke arritur “5¾ për qind në janar 2026”, i nxitur kryesisht nga çmimet e ushqimeve.
Deficiti i llogarisë korrente u zgjerua në 9.2 për qind të PBB-së, nga 8.4 për qind, për shkak të “importeve më të larta të energjisë dhe ushqimit”.
Rritja e pagave reale u ngadalësua në 9.5 për qind, duke sinjalizuar dobësim të momentit ekonomik.
Perspektiva mbetet e pasigurt. FMN parashikon se “rritja reale pritet të ngadalësohet në 3.3 për qind në 2026”.
Inflacioni pritet të arrijë 5.9 për qind gjatë vitit, përpara një rënieje graduale në afatin e mesëm.
Raporti nënvizon ndikimin e jashtëm, veçanërisht “efektet e konfliktit në Lindjen e Mesme” mbi çmimet dhe aktivitetin ekonomik.
Deficiti i jashtëm pritet të thellohet më tej në 2026, përfshirë ndikimin e ndërprerjeve në sektorin energjetik.
Rreziqet janë të anuar nga përkeqësimi. FMN përmend “tensione globale tregtare” dhe paqëndrueshmëri të çmimeve.
Në planin e brendshëm, “pasiguritë rreth zgjedhjes së presidentit të ri” mbeten faktor destabilizues.
Institucioni kërkon rikalibrim të politikës fiskale, duke theksuar se ajo duhet “të shmangë një zgjerim fiskal në 2026”.
Deficiti buxhetor pritet të arrijë -1.6 për qind të PBB-së, me një trajektore në rritje.
Drejtorët kërkojnë balancim ndërmjet stabilitetit makroekonomik dhe objektivave zhvillimore.
Rekomandohen “kufizimi i shpenzimeve aktuale” dhe rritja e investimeve publike cilësore.
Sistemi financiar vlerësohet i qëndrueshëm, por kërkohet “forcim i mbikëqyrjes dhe menaxhimit të krizave”.
Në planin strukturor theksohet se reformat mbeten kyçe, veçanërisht për “forcimin e konkurrueshmërisë” dhe adresimin e dobësive në tregun e punës.