Ramadani: Telefonata e Chollet parandaloi eskalimin e situatës në veri - NACIONALE

Ramadani: Telefonata e Chollet parandaloi eskalimin e situatës në veri

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Tensionet e larta vazhdojnë të mbizotërojnë në veri të Kosovës, sipas deklaratave të Burim Ramadanit, njohës i zhvillimeve politike. Në një intervistë për Klan Kosova, Ramadani ka theksuar se betimi nën masa të mëdha sigurie të kryetarit të Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, tregon që situata atje është ende e tensionuar.

Ramadani tha se moment i rëndësishëm në parandalimin e eskalimit të tensioneve ishte telefonata e këshilltarit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Sipas tij, kjo telefonatë ka qartësuar se nuk do të ketë eskalime të reja në aspektin e sigurisë në veri.

"Qartësia që të mos ketë eskalim të situatës së sigurisë në kuptimin e incidenteve ka ardhur me telefonatën që këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet ka bërë me kokën e gjarprit, me Vuçiqin, i cili mbetet edhe më tej mbrapa organizimit të grupeve kriminale në veri. Ajo telefonatë është goditje në kokën e përgjegjësit ose nxitësit dhe financuesit të destabilizimit në veri, e që është presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq dhe strukturat e tij të sigurisë në Serbi e që veprojnë edhe në Kosovë” - pohoi Ramadani.

Kujtojmë se Erden Atiq, kandidat i VV-së, është betuar në seancën solemne dhe nga sot ai është kryetar i Mitrovicës së Veriut. E gjitha ka ndodhur në një seancë të shkurtër solemne që u filloi pak pas orës 11:00. Betimi i tij që ishte shumë i shkurtër, u përcoll me duartrokitje nga të pranishmit, ndërsa betimi u bë në gjuhën serbe.

“Unë Erden Atiq betohem se do të kryej detyrat e mija dhe do ti ushtroj kompetenca e mija si kryetar i komunës veriore, me nder, besnikëri, në mënyrë të pa anshme, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin në mënyrë që të siguroj kushtet për një jetë të qetë”- deklaroi ai në momenti të betimit, transmeton Kallxo.com.

Lajme të ngjashme