Ramadani: Motivi i largimit nga AKI-ja mbetet mes meje dhe Kurtit
Ish-inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani, në një intervistë për Nacionalen, ka treguar për punën e tij në këtë institucion të lartë të sigurisë në vend.
Ai nuk ka treguar aryset e largimit të tij nga AKI-ja por vetëm ka thënë se motivi i largimit mbetet mes tij dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“Derisa motivi për largimin tim nga AKI mbetet në mes meje dhe Kryeministrit Kurti, unë mund të them se e tërë puna ime për më shumë se tri vjet aty do të mbyllet në historinë personale dhe administrohet brenda Agjencisë. Si e tillë, ajo nuk do të përdoret asnjëherë nga unë qoftë për motive personale, apo të tjera.” – ka thënë ai.
Kështu u përgjigj ai kur u pyet pse u largua nga AKI-ja:
Në thelb, e tërë periudha ka qenë sensitive dhe këtë kohë prej pak më shumë se tri (3) vitesh do ta mbaj në kujtesën time si periudhë krenarie dhe sfidimi të vazhdueshëm. Normalisht, puna në institucion të tillë mbetet e klasifikuar dhe ndahet vetëm me udhëheqësit e shtetit, porse ajo që mund të them është se shërbimi në sigurinë kombëtare është nder, sfidë dhe presion i jashtëzakonshëm. Angazhimi në forcimin e Agjencisë, rregullësisë, kontrollin e brendshëm dhe shërbimin në sigurinë kombëtare është detyrë që përcillet në vazhdimësi me sfida të ndryshme.
Jam i bindur se AKI dhe njerëzit që punojnë aty meritojnë respektin e plotë institucional dhe qytetar, duke qenë se janë në vazhdimësi në betejë për sigurinë kombëtare të Kosovës. Normalisht, kjo është natyrë e punës e cila jo gjithherë është falenderuese, sidoqoftë ruaj respektin e plotë për mënyrën e punës aty.
Derisa motivi për largimin tim nga AKI mbetet në mes meje dhe Kryeministrit Kurti, unë mund të them se e tërë puna ime për më shumë se tri vjet aty do të mbyllet në historinë personale dhe administrohet brenda Agjencisë. Si e tillë, ajo nuk do të përdoret asnjëherë nga unë qoftë për motive personale, apo të tjera.
