Ramabaja pretendon që po krijohet “një grupim forcash politike” islame për ta mposhtur Albin Kurtin
Analisti televiziv, Sadri Ramabaja, e ka shkruar një opinion në të cilin ka shprehur frikë se “feja” do të jetë kryetemë e zgjedhjeve të ardhshme zgjedhore. Çka po sheh Ramabaja që s’po shohin të tjerët?
Aktivisti i VV-së ka deklaruar në mënyrë të hapur se agjenda e zgjedhjeve të ardhshme është duke u (sic) përpunuar tash.
“Duket se agjenda politike e zgjedhjeve të ardhshme po përpunohet pikërisht tani. Prandaj edhe çështja e fesë do të zë vend qendror.” – shkruan Ramabaja në portalin e tij.
Ai e denoncon hapur se po i fryn një gjëje të tillë opinionistin Nexhmedin Spahiu, të cilin e quan edhe “të konvertuar në islamist”.
“Gara për t’u pozicionuar në Parlamentin e ardhshëm tashmë ka filluar.” – vazhdon analisti, duke e parë në këtë garë edhe Spahiun.
Megjithatë, Ramabaja nuk përmend shumë prej figurave konservatore muslimane në partinë e tij (VV) e të cilët po tregohen pengues në çështje të rëndësishme si Projekt-Kodi Civil apo edhe fertilizimi i asistuar.
“Islami politik në hapësirën shqiptare prandaj po përdor një ambalazh të ri, të mveshur me petk “autokton”, që në sipërfaqe ka ngjyresat e nacionalizmit kuazishqiptar, ndërkaq në esencë ka përmbajtje islame.” – vazhdon tutje Ramabaja.
Sipas aktivistit të VV-së, tash po përgatitet një grupim forcash politike të islamit politik që do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Nën këtë petk, islami politik ndërkohë po punon për agjendën e tij politike që do ta prezantojë përmes një grupimi forcash politike pikërisht në zgjedhjet pasuese parlamentare.” – shprehet tutje ai.