Rama: SHBA-ja dhe BE-ja kanë të drejtë, Albini është tërësisht i gabuar
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë me dije se kryeministrit Albin Kurti është tërësisht i gabuar me sjelljen e tij ndaj kërkesave të ndërkombëtareve.
Në një intervistë për BBC, Rama ka vlerësuar se partnerët ndërkombëtar nuk duan të kënaqin Serbinë.
Sipas tij, ata duan që të Kosova të ngrihet në një nivel tjetër si shtet, ku të njihet nga të gjithë pas marrëveshjes finale.
“Më vjen keq ta them por mendoj njësoj dhe ky nuk është pozicion servili, por jam i bindur se SHBA-ja dhe BE-ja kanë të drejtë dhe Albini është tërësisht i gabuar sepse ata nuk po përpiqen të kënaqin Serbinë, por ta çojnë Kosovën në tjetër nivel, që do të thotë një shtet që njihet nga të gjithë, që mund të ulet në OKB dhe çdo institucion tjetër. E vërtetë është dhe nuk mohohet, por gjithashtu e vërtetë është se hyrja e kryetarëve në zyra përkundër këshillave të mira të miqve të mirë të Kosovës, pa të cilët Kosova nuk do të ishte kjo që është sot, ishte një hap i tepërt”, ka thënë Rama, transmeton Euronews.
Duke i komentuar tensionet në veri të Kosovës, ai ka bërë me dije se situata është provokuar nga largimi i serbëve prej institucioneve të Kosovës.
Megjithatë, Rama nuk është pajtuar me veprimet e institucioneve të Kosovës për t`i dërguar në zyrat komunale kryetaret e rinj.
“Ka një situatë shqetësuese në veri të Kosovës, por nuk do ta theksoj shumë në aspektin e rrezikut. Do them vetëm që kjo situatë është provokuar fillimisht nga braktisja e institucioneve nga serbët, që krijoi vakuum. Dhe së dyti nga këmbëngulja e autoriteteve të Kosovës për t’i futur në zyra boshe këta kryetarë, ku shumica e popullsisë është serbe. Ishte mirë që u mbajtën zgjedhje dhe që u tregua që askush nuk mund t’i mbajë peng proceset demokratike në një vend të pavarur, por nuk ishte ide e mirë që të këmbëngulej hyrja e këtyre kryetarëve në komuna boshe me ndihmën e policisë dhe me ndërhyrjen e KFOR dhe lëndimin e ushtarëve”, është shprehur Rama.