Rama për vrasjen e rojës së Top Channel: Agresioni kriminal kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese - NACIONALE

Rama për vrasjen e rojës së Top Channel: Agresioni kriminal kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një sulm me armë zjarri ka ndodhur ndaj objektit të televizionit Top Channel në orët e para të së hënës në Shqipëri, ku mbeti i vrarë roja i moshës 60 vjeçare.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka dënuar sulmin dhe ka kërkuar përgjigje nga institucionet e zbatimit të ligjit.

Agresioni kriminal ndaj TCH me pasojë edhe një humbje jete të personelit të sigurisë, kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese! Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe krejt bashkësisë së TCH, e cila meriton solidaritetin e të gjithëve në këtë moment kaq shqetësues!” – ka shkruar Rama.

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 27.03.2023, rreth orës 01:00, në Mëzes, në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të Top Channel.

Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën roja i sigurisë shtetasi P. K., 60 vjeç (punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve).

Është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pikat e kontrolleve dhe vijon puna për identifikimin e kapjen e autorëve.

Lajme të ngjashme