Rama për median italiane: S’mund të mendohet një BE që nuk e përfshin Serbinë
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka dhënë një intervistë për emisionin italian ‘Porta a Porta’, ku ka folur në veçanti për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.
I pyetur nga gazetari nëse Shqipëria i frikësohet një zgjerimi të mundshëm të BE-së që përfshin Serbinë, në një kohë kur Serbia shihet kaq pranë Rusisë, Rama ka thënë se në fakt "duhet të bëjmë gjithçka që Serbia të mbahet pranë".
“Jo, jo vetëm që nuk i trembemi kësaj, por jemi një zë mjaftueshëm i dalluar në Ballkanin Perëndimor që thotë se duhet ta mbajmë Serbinë shumë pranë dhe duhet të bëjmë gjithçka që të jemi të bashkuar politikisht. Nga ana tjetër, sigurisht që ka dallime sepse Serbia nuk e ka sanksionuar Rusinë për arsye të qarta që në një moment duhet kuptuar se ato janë arsye të natyrës politike dhe historike, por edhe të natyrës pragmatike,”- është shprehur Rama.
Më tej, mediat shqiptare raportojnë se Rama është pyetur nëse mund të mendohet ose jo një Bashkim Evropian që përfshin Shqipërinë dhe vendet e tjera pa Serbinë, pyetje së cilës kryeministri shqiptar i është përgjigjur me jo.
“Jo, për mendimin tim jo,”- citohet të ketë thënë Edi Rama.
