Rama në intervistë për mediumin italian pyetet për Kosovën: A keni kërkuar hapjen e qendrave?
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ka dhënë një intervistë për mediumin italian RAI3, për kampet e refugjatëve në Gjadër dhe Shëngjin. Në këtë intervistë, kryeministrit Rama i është bërë një pyetje edhe për Kosovën.
Ai është pyetur nëse ka kërkuar nga Kosova që të krijojë qendra për imigrantë.
Shqipria dhe Italia kishin arritur marrëveshje për krjimin e qendrave për imigrantë.
Kjo marrëveshje ishte kritikuar, e mes kritikave, po i njëjti mediumi italian që ka intervistuar Ramën, kishte bërë edhe një dokumentar për këtë marrëveshje.
Pjesë nga intervista e Ramës:
Rai3: Pjesa tjetër e Europës e ka përqafuar këtë projekt. Manifesti zgjedhor i partive popullore europiane përmban pikërisht këtë zgjidhje: pritjen e migrantëve në kërkim të azilit në vendet e treta. Do të ndërtohen qendra të tjera këtu në Shqipëri?
KM: Ndjesë, mbi të gjitha, mendoj se pjesëmarrja e vendeve të treta nuk është zgjidhje në vetvete. Pjesëmarrja e vendeve të treta duhet të jetë vetëm pjesë e një zgjidhjeje më komplekse, sepse, nëse mendohet që vendet e treta janë zgjidhja, atëherë, nuk do të shkojmë kurrkund, nuk do të ketë zgjidhje dhe do të përfundojmë t’i biem murit që kemi përballë ose të përplasemi me ajsbergun që na ka dalë përpara. Të flasësh për këtë sfidë shumë të madhe që ka Europa, si të ishte diçka që lidhet me zgjedhjet e ardhshme, mandatet e ardhshme, mundësisë së ardhshme për t’u ngjitur në pushtet, është njësoj si të luash muzikë, teksa Titaniku po mbytet.
Nga ana tjetër, të mbytesh, themi ne, nuk di nëse e keni edhe ju në italisht, të mbytesh me një pikë ujë dhe ta paraqesësh këtë përpjekje për të krijuar diçka, për të provuar diçka – pa pretenduar se do zgjidhim problemin, po sidoqoftë duke kërkuar rritjen e pjesëmarrjes së vendeve – si diçka për t’u hedhur tutje, është shumë nënçmuese dhe vërtet qesharake.
Rai3: Shqipëria do të pranojë qendra të tjera?
KM: Shqipëria e ka bërë këtë – dhe do doja të ishte e qartë – jo pse ishte hera e parë që merrte një kërkesë të tillë. Kemi marrë të njëjtat kërkesa nga vende të tjera dhe i kemi refuzuar, sepse ishin të pakuptimta. Një gjë është të jesh vend fqinj, me historinë e përbashkët që kemi. Italia është Shqipëria dhe Shqipëria është Italia, në mënyrën se si i shoh unë gjërat dhe në frymën e dy popujve tanë. Por, të presësh këtu njerëz të shkretë që i sjellin nga Anglia, nuk është diçka që bëhet. Duhet të krijohen sinergji të një tjetër lloji. Pra, jo. Kurrë.
Rai3: Ju i keni kërkuar Kosovës të hapë qendra të tjera?
Rai3: Po, qendra për migrantët, Ka një diskutim të tillë?
KM: Jo. Pse duhet t’ia kërkoj? Jo.
Rai3: Nuk është diskutuar asnjëherë kjo?
KM: Nuk e di. Ndoshta e kanë kërkuar të tjerë. Më duket se patën bërë një marrëveshje me Danimarkën, po nuk di si ka vajtur.
Rai3: Ah, Danimarka donte të ngrinte qendra për migrantët në Kosovë?
KM: Më duket se ka pasur një diskutim të tillë, po.
Intervistën e plotë mund ta lexoni KËTU.