Rama: Kurti pa qartësi strategjike, me politikë dritëshkurtër ndihmohet Beogradi - NACIONALE

Rama: Kurti pa qartësi strategjike, me politikë dritëshkurtër ndihmohet Beogradi

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama për Real Story në ABC News, ka folur për kritikat dhe akuzat e homologut të tij kosovar, Albin Kurtit ndaj ndërmjetesuesit evropian në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak. Rama thotë se Kurtit i mungon qartësia strategjike dhe se politika dritëshkurtër e Prishtinës po e ndihmon Beogradin.

Rama ka thënë se kritikat dhe akuzat e Kurtit ndaj Lajçakut të lënë pa tekst dhe e demtojnë Kosovën.

Tutje, ai tha se thurja e një teorie konspiracioni për emisarin e BE-së nuk është gjë e këshillushme për t’u bërë.

Janë gjëra që të lënë pa tekst dhe janë gjëra që dëmtojnë edhe më shumë atë që pretendohet se po përpiqen të riparojnë, sepse të ngresh një teori konspiracioni për një bashkëpunim që e zbulove mes Serbisë dhe të dërguarit special të gjithë BE nuk është diçka e këshillueshme për t’u bërë. Po e përsëris, unë nuk dyshoj në dëshirën e madhe dhe të mirë të Albinit për të bërë më të mirën për Kosovën, por dëshira e madhe dhe vullneti i mirë nuk mjaftojnë asnjëherë. Duhet qartësia strategjike, për të arritur qëllimin, gjë që nuk e shoh”, tha Rama.

Kryeministri shqiptar e ka kritikuar atë kosovar edhe për “rebelimin e tij” ndaj aleatëve ndërkombëtar.

Rama përsëri e këshillon Kurtin, duke i sugjeruar ta pranojë planin e BE për normalizmin e raportëve me Serbinë.

Është gjëja më e lehtë, që të tërheqësh opinionin publik pas vetes, duke marrë poza, kundërshtie dhe deri armiqësie ndaj atyre që janë të identifikuar si burimi i një të keqe të madhe që i ka ndodhur Kosovës në të shkuarën jo shumë të largët, por pyetja këtu është çfarë sjell kjo? Sjell më shumë vota në Kosovë? Mbase. I sjell ato vota për një kohë të gjatë? Nuk besoj, por e sigurtë është që nuk sjell rezultatin e dëshiruar për Kosovën që është përfundimi i një procesi normalizimi dhe pastaj i çlirimit të gjithë ngërçit të njohjeve në radhë të parë brenda vendeve të BE. Sepse ky është edhe synimi i planit franko gjerman dhe kjo duhet të ishte arritje më e madhe e mundshme, që do të ishte një njohje defacto edhe e Serbisë, pavarësisht se do ta njihje apo jo formalisht Serbia Kosovën, kjo mbetej e parëndësishme, Kosova do të fitonte këtu ulësen e saj, do të çlirohej nga barra e këtij konflikti për të vijuar procesin e integrimit në BE, dhe kështu me radhë. Dhe arsyeja pse BE insiston për këtë proces normalizimi është sepse duan të integrojnë Kosovën në gjithë ngrehinën e organizimit ndërkombëtar dhe në BE, gjë që nuk ka për të ndodhur kurrë nëse Kosova nuk e zgjidh këtë problem, tha Rama.

Ai potencoi se qasja e Qeverisë së Kosovës në raport me dialogun po e ndihmon Serbinë.

Kjo as nuk diskutohet, dhe nuk diskutohet që Serbia shikon interesat e veta, nuk sheh interesat tona. Dhe ajo që është për të ardhur keq është se qasja e Prishtinës po i ndihmon Serbisë, nuk po ndihmon Kosovën sepse po viktimizon Serbinë në sytë e gjithë bashkësisë ndërkombëtare dhe në sytë e miqve dhe partnerëve tanë, po i mbyll gojën miqve dhe partnerëve tanë duke e kthyer Serbinë në një aktor që luan rolin e dikujt që është i penguar të bëjë gjënë që në fakt nëse Kosova do ishte proaktive dhe pozitive në dialog, Serbia mbase nuk do ta bënte, por ama do të ekspozohej dhe do ta merrte gjithë presionin ajo. Ndërkohë që kështu Serbia luan një teatër të cilin ia jep mundësinë ta luajë, politika dritë shkurtër e Prishtinës”.

Lajme të ngjashme