Rafuna: Rritja ekonomike prej 3.5% nuk sjell zhvillim e as ulje të papunësisë
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka deklaruar se rritja ekonomike prej 3 deri në 3.5% nuk ka ndonjë efekt për uljen e papunësisë.
Kreu i Odës, i cili më herët ka ushtruar dhe detyrën e ministrit të Financave, thotë se masat e Qeverisë Kurti kanë qenë të pakta për t’u përballur me krizën dhe inflacionin.
“Rritja ekonomike do të jetë 3 deri në 3.5 për qind. Kjo rritje nuk është e mjaftueshme. Rritja njëshifrore nuk sjell zhvillim ose ulje të papunësisë”, deklaroi Rafuna për EkonomiaOnline.
Rafuna thekson se për t’u vërejtur një ngritje e mirëqenies sociale, rritja do të duhej të ishte dyshifrore.
Ai ka kërkuar nga ekzekutivi që bizneset të ndihmohen në forma të ndryshme, në mënyrë që të tejkalohet më lehtë kjo krizë. Sugjeron dhe masa të tjera.
“E para duhet t’i kushtohet shumë rëndësi investimeve kapitale, të jetë më agresive, në kuptim pozitiv, që projektet që i ka planifikuar me ligjin e buxhetit, të implementohet në kohë sa më të shkurtër, pa bërë ndonjë shkelje ligjore. Gjithashtu, kishte me qenë e rëndësishme për ta luftuar inflacionin që të ketë një rritje të pagave në sektorin publik, për shkak se do të krijonte një siguri te çdo i punësuar”.
“Ne shohim se vitin e kaluar ka pasur një rënie të sasisë së mallit, pra një ulje të konsumit për shkak të inflacionit. Vlera e parasë në vitin 2021 për një shportë familjare, nuk është e njëjta me 2022-ën”, u shpreh Rafuna.