‘Radojçiqi pëlqimin, Kusari-Lila kërkesën’: Kristalizohet edhe më tej se si u votua bashkë VV-Srpska për pagën minimale - NACIONALE

‘Radojçiqi pëlqimin, Kusari-Lila kërkesën’: Kristalizohet edhe më tej se si u votua bashkë VV-Srpska për pagën minimale

1 vit më parë

nga NACIONALE

‘Radojçiqi e dha pëlqimin...Kusari-Lila na kërkoi votat’.

Me këtë mesazh e dha përgjigjen e dytë me radhë ish-deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq, në lidhje me çështjen e rikthyer të bisedave VV-Srpska.

Imazhi që u konkretizua ishte: duart lart – bashkë me Srpska’n – pushteti duke votuar për pagën minimale nga ku përjashtoheshin veteranët e UÇK-së.

Krejt kjo mori shkas për rikthim në debat nacional pasi gazetari Vehbi Kajtazi publikoi një pjesë të shtuar të bisedimeve mes Shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila dhe kryekriminelit – dhe më vonë autori i sulmit terrorist në Banjskë – Milan Radojçiq.

Në “Debat Plus” të RTV Dukagjinit u lajmërua Sllavko Simiqi, i cili, referuar përmbatjes së bisedave, tha se Kusari-Lila i kërkoi votat për pagën minimale dhe votimin e një gjyqtari të kushtetueses.

Unë e di se si grup parlamentar kishim udhëzim dhe miratim nga Radoiçiq për të mbështetur ligjin për pagën minimale, që ne si grup parlamentar e bëmë dhe votuam PRO ligjit për pagën minimale në muajin qershor, dhe kishim udhëzim nga Radoiçiq që të mbështesim zgjedhjen e gjyqtarëve të gjykatës kushtetuese që na e kërkoi Mimoza”, tha Simiq.

Kusari-Lila – e cila s’e ka paditur për shpifje Simiqin, por vetëm për inçizim të pautorizuar – u deklarua sot duke mos iu referuar përmbajtjes, por e quajti thjesht “luftë hibride”.

Pamjet që vërshuan sot ishin duart lartë VV dhe Srpska duke miratur ligjin: ndërsa kohë pas kohe u kthyen edhe deklarimet – të demantuara tashmë ad-infinitum-herë – të Kusari-Lilës se ishte PDK ajo që kishte dërguar atë ditë Listën Serbe në Kuvend të Kosovës “për t’i dhënë një hije të keqe” votimit.

Ligji kishte kaluar, veteranët ishin lënë jashtë pagës minimale, për çka edhe ish-pjesëtarë të UÇK-së kishin protestuar para Qeverisë së Kosovës: ndërsa Xhelal Sveçla, ministër i mbrojtjes e lexonte si ‘komplot’ gazetarësh.

Dardan Molliqaj nxori fotografi nga votimi i asaj dite – vera e vitit 2022 – të votimit në sinontim për çka shkroi se “orkestrimin po e dëgjojmë në përgjimet telefonike”.

Kështu dukej salla e Kuvendit kur veteranët e UÇK-së u përjashtuan nga paga minimale”, shkroi ai.

Edhe gazetari Vehbi Kajtazi nxori një deklarim të asaj dite nga Mimoza Kusari-Lila, duke shkruar "nuk është mirë me rrejtë e nderuar".

Edhe mbështetës diskursiv – në të shumtën e rasteve – i pushtetit si Ylli Hoxha në “Debat Plus” kërkoi nga Mimoza Kusari-Lila të reflektojë e të dorëhiqet.

Iu ka cënu kredibiliteti, e tash s’po dimë mos iu ka cënu edhe pavarësia. Kjo është sikur uki e han gomarin, e ky i fundit thotë ishalla jam në andërr. Jo jo, të kanë dalë xhirime. Po thojnë që ka tjera, prandaj reflekto, liro vendin e punës ku je”, tha ai.

Edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti – krejtësisht kontravers e kontra vetes, pasi që para katër ditësh kërkoi sanksionimin “e të gjithë atyre që komunikojnë me ata që janë në Listë të Zezë” – e mbrojti për të tretën herë Kusari-Lilën duke e quajtur publikimin “luftë hibride”.

Ju porsa e thatë se në këtë moment ka pasur një përgjim ndaj shefes së GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila. Unë kam përshtypjen se këto kohë do të intensifikohet lufta hibride ndaj Qeverisë sonë dhe Grupit tonë parlamentar”, tha sot Kurti.

Lajme të ngjashme