Radoiçiq jep deklaratë në cilësinë e qytetarit para Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë
Milan Radoiçiq, udhëheqësi i grupit kriminal që ka sulmuar të dielën në Banjskë, është paraqitur sot para Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MPBS) për të treguar për ngjarjen.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka treguar se Radoiçiq ka dhënë deklaratë në cilësinë e qytetarit për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri të Kosovës.
“Ftesës së autoriteteve shtetërore të Republikës së Serbisë, Millan Radoiçiq i është përgjigjur dhe sot në orën 10, i shoqëruar nga avokati i tij, ka hyrë në ambientet e MPB-së, për të dhënë deklaratë si qytetar për rrethanat të ngjarjes tragjike në qytetin e Banjskës, herët në mëngjes të së dielës, 24 shtator 2023”, është thënë në njoftimin e MPBS-së, raporton REL.
Sipas kësaj ministrie, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd do të njoftohet për deklaratën e Radoiçiqit në formë raporti.
Më pas, kjo prokuroria do të ndërmarrë masat dhe veprimet e mëtejshme procedurale.