Qysh na njoftoi Ambasada SHBA-së se në takimin Osmani-Kasanof u bisedua edhe për veprimet e pakoordinuara në veri?
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës ka dhënë detaje të tjera për takimin e presidentes Vjosa Osmani me Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Alexander Kasanof. Në anën tjetër për këtë takim ka njoftuar edhe presidentja Osmani por e cila ka thënë se në takim është folur për zhvillimet e fundit në vend, duke mos dhënë detaje më shumë.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka ka njoftuar se në takimi e presidentes Osmani me ndihmës Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Alexander Kasanof, ndër të tjera është biesduar edhe për moskosultimin e Qeverisë për aksionin në veri ku u mbyllën komunat ilegale serbe.
Takimi i Osmanit me Kasanof u mbajtë gjatë forumin GlobSec në Pragë.
Në këtë reagim, ndër të tjera ambasada amerikane ka thënë se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë të shtunën një aksion pa u konsultuar me bashkësinë ndërkombëtare.
“Në Forumin GlobSec të Pragës sot DAS Alexander Kasanof dhe Presidenti Vjosa Osmani diskutuan për një numër çështjesh kyçe, përfshirë veprimet e pakoordinuara të së premtes nga Qeveria e Kosovës dhe rëndësinë e konsultimit me bashkësinë ndërkombëtare. Ne vlerësojmë përkushtimin e presidentes Osmani për koordinim të tillë, i cili është thelbësor për të avancuar trajektoren evropiane dhe euroatlantike të Kosovës dhe për të arritur stabilitetin rajonal, normalizimin dhe integrimin ekonomik. ShBA mbetet e përkushtuar për një Kosovë sovrane, multietnike, demokratike”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.
Në anën tjetër, presidentja Vjosa Osmani për këtë takim ka thënë se ka biseduar për zhvillimet e fundit, por që nuk ka dhënë detaje më shumë.
“Kënaqësi të takoj në Pragë Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Alexander Kasanof. Diskutim përmbajtësor mbi zhvillimet e fundit, rëndësinë vendimtare të angazhimit proaktiv e të shtuar të Shteteve të Bashkuara për paqe të qëndrueshme në rajon, si dhe mbi dialogun Kosovë-Serbi.” – ka shkruar Osmani.
Kujtojmë se ambasada amerikane në Kosovës ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës për aksionin e fundit për mbylljen e komunave ilegale serbe në komunat veriore të vendit
Në një deklaratë për media, ambasada është shprehur e zhgënjyer me veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri.
“Qeveria e SHBA-së përsërit shqetësimin dhe zhgënjimin e saj me veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës që vazhdojnë të kenë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë”, është thënë në deklaratë.
ShBA ka përsëritur se bashkë me partnerët ndërkombëtarë në vazhdimësi i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që ta ketë prioritet koordinimin me komunitetin ndërkombëtarë dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme.
“Dështimi i Qeverisë së Kosovës që t’u përgjigjet këtyre kërkesave, reflekton një përkeqësim real dhe në rritje në partneritetin tonë. Ashtu siç kemi theksuar më parë, veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës vendosin qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në një rrezik më të madh, eskalojnë panevojshëm tensionet rajonale, dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtarë.”, është thënë tutje në komunikatë.
Më tej, ShBA-ja e ka fajësuar Qeverinë për keqpërdorim të Policisë së Kosovës.
Ndërkaq, presidentja Osmani ka thënë se veprimet në veri janë legjitime por duhet të punojmë me aleatët.