“Qyqarllëk” apo “mashtrim i ri”: Pse Qeveria Kurti po e kërkon ndihmën e opozitës në dialog?
Kryeministri Albin Kurti në seancën parlamentare të enjte kërkoi mbështetjen e opozitës në procesin e dialogut me Serbinë. Ndonëse i ka votat e nevojshme në Kuvend, ai sërish kërkonte ndihmën e opozitës, e cila është minore në Kuvend.
Kjo kërkesë po shihet si e çuditshme dhe e pasinqertë nga njohësit e rrethanave politike në vend.
Ata kanë thënë se kjo është një përpjekje e tij për të krijuar mbulesë dhe për të shpërndarë përgjegjësinë për dështimin eventual të procesit të dialogut.
Ish-zyrtari i lartë i LDK-së, Skender Hyseni, ka vlerësuar se kjo kërkesë e Kurtit është një tentim për mashtrim.
"A po rrezikon opozita parlamentare e Kosovës të bëhet bashkëfajtore për politikat anti-amerikane e anti-perëndimore të Kurtit dhe Osmanit?! Kjo është një pyetje thelbësore në të cilën duhet të përgjigjen, pa ekuivoke, Krasniqi, Abdixhiku dhe Haradinaj! Ftesa e pasinqertë e Kurtit, drejtuar opozitës për ‘bashkërendim’ në punët e dialogut, s’është asgjë tjetër veçse një mashtrim i ri, në përpjekjen e tij për të krijuar mbulesë dhe shpërnda përgjegjësinë për abortimin eventual në dialog", ka shkruar Hyseni në profilin e tij në "Facebook".
Sipas tij, ndihma e opozitës Kurtit i duhet për t`i legjitimuar politikat e tij katastrofale.
"Kurtit nuk i duhet opozita për të marrë vendime, sepse i ka numrat dhe mandatin e plotë. Atij i duhet opozita për të legjitimuar politikat e tij katastrofale. Albin Kurti e Vjosa Osmani nuk janë për konsensus. Nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë kurrë! Opozita po bënë gabime të rënda me përkrahjen naive për seanca të mbyllura në Kuvend për dialogun. Kurti mund të jetë që edhe ka nevojë për t’u fshehur nga opinioni, por pse duhet opozita të bëhet pjesë e këtij teatri absurdi. Populli i Kosovës e ka të drejtën legjitime të informohet saktë dhe me kohë për dialogun. Terri infromativ dhe mostransparenca kanë një autor. Ai është Kurti", ka shkruar Hyseni.
Edhe Analisti Dukagjin Gorani mendon se ndihma e opozitës nuk është e nevojshme në këtë proces.
"Nuk po e kuptoj pse ka nevojë me lyp prej opozitës një afirmim, ose një pranim dhe pajtim. Nuk po e kuptoj pse. Këta i kanë shumicën, VV dhe Lista guxo e kanë shumicën dërmuese dhe asnjëherë më parë nuk ka pasus shumicë më të madhe në Kuvend se kjo. Dialogu me këkresë specifike të VV-së dhe LDK-së nga Gjykata Kushtetuese është gjykuar të jetë çështje ekskluzivisht e Qeverisë", ka thënë Gorani në emisinin Pressing.
Sipas tij, në këtë mënyrë Kurti po dëshiron ta shpërndajë fajin në procesin e dialogut.
"Çka kanë nevojë me e pas edhe opozitën në një far pseudofronti. Jashta se me e nda fajin dhe me shpërnda fajësinë, unë arsyeje tjetër nuk po shoh. Je tu lyp ndihmë prej një opozite e cila është minore në Kuvend për nga rëndesia dhe për nga vëllimi, je ty lyp gjithqysh me qenë me ty dhe ajo nuk është me ty", ka thënë ai.
Ai ka treguar se për qeveritë tjera kanë qenë problem numrat.
"Qeveritë tjera telashen më të madhe e kanë pasur me numra. Gjithmonë beteja e qeverive tjera në raport me marrëveshjet me Serbinë kanë qenë numrat, e jo lutja e opozitës. Nëse i ke pas numrat t`i je shku e ke bë marrëveshjen. Kjo formë, një farë lutje opozitës, kjo është ka pak qyqarellek. nuk bënë kështu me u sill. Ti je në pushtetet, e ke shumicën, ti shkon e vendos, mirë ose keq", ka thënë Gorani.
Kërkesa e Kurtit për opozitën
Në seancën e së enjtes, kryeministri Kurti kritikon partitë opozitë, dhe në të njëjtën kohë kërkonte ndihmën e saj në dialog.
Duke iu përgjigjigjur kritikave të opozitës për dialogun, ai kërkonte nga liderët e opozitës që të njëjtat fjalë për Asociacionin të ia thonë edhe emisarit amerikan Gabriel Escobar.
“Ju inkurajoj, qysh ashtu që jeni të vendosur se Kosova nuk duhet të pranojë marrëveshje pa njohjen reciproke në qendër, aman ja thoni qështu me të njëjtin zell edhe Escobarit, dhe jo vetëm mua. Kur e takoni Escobarit, paramendojeni se e keni përpara Kurti dhe ja thoni këto fjalë. Shërbim më të madh Kosovës nuk mundeni me i bë”, ka thënë Kurti.
Më pas, ia iu tregonte partive opozite se si mund të i bëjnë shërbim vendin.
“Asociacioni është Zajednicë e Hashim Thaçit e Isa Mustafës. Falë meje nuk po zbatohet. Sa për juve moti ish kry ajo. Kam përmendur gjashtë kushtet për Asociacionin. Asociacionin që e keni sjell. Zajednica e Thaçit e Isa Mustafës nuk po zbatohet se ka qeveri demokratike. Kur po jep deklarime Escobari po thotë për një njeri nuk ndalet Asociacioni. Në atë momenti ju duhet me dalë me thanë kryeministri nuk është vetë. Por ju nuk dilni”, ka thënë Kurti.

