Quni: Sulmi terrorist në Banjskë duhet të kapitalizohet nga politika në tryezën e bisedimeve - NACIONALE

Quni: Sulmi terrorist në Banjskë duhet të kapitalizohet nga politika në tryezën e bisedimeve

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka bërë me dije se do të vërtetohet në mënyrë të saktë se prapa sulmit terrorist në Banjskë qëndron Serbia.

Ai ka vlerësuar se politika zyrtare e Kosovës këtë çështje duhet ta kapitalizojë në procesin e bisedimeve në Bruksel.

Sipas tij, në këto bisedimet duhet të tregohet se Kosova është faktor stabiliteti.

“Jam më së i bindur që adresa do të jetë Beogradi dhe kjo duhet të kapitalizohet nga politikë bërësit tanë, pra ta përdorin si një armë të fuqishme në tryezën e bisedimeve se kush janë faktorët e destabilizimit në Kosovë”, ka thënë Quni për EO.

Deputeti i LDK-së, i cili është edhe anëtar i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, ka ftuar institucionet e Kosovës që të jenë të përgatitura për çdo rast.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë se sulmi i njëjtë mund të përsëritet.

“Pra mundet me ndodh edhe në të ardhmen, por besoj se edhe situata në të ardhmen do të menaxhohen mirë. Ne duhet me pas një fakt në konsideratë që mbrapa këtij grupi që qëndron një regjim një shtet, qëndrojnë institucionet e tjera të cilat nuk përdorin metoda konvencionale që mos ta komprometojnë vetë vetën, por i karakterizojnë qëllimin e këtyre grupeve si organizim i brendshëm qytetar për pakënaqësitë ndaj institucioneve të Kosovës. Në fakt këto janë operacione të maskuara, tani unë mendoj që me kapjen e disa pjesëtarëve të kësaj organizate terroriste organet e drejtësisë do të vijnë deri tekë të dhënat e sakta se kush ka qëndruar mbrapa tyre, me financa me motivim, me instruksione”, është shprehur ai.

Lajme të ngjashme