QUINT-i në njërën anë, qeveria në anën tjetër, dinari në mes: Ditë e re, kërkesa të reja
Hyrja në fuqi e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës ku specifikohet se valuta e vetme për përdorim është euro, vazhdon të jetë tema kryesore në Kosovë.
Mbrëmë ambasadorët më të rëndësishëm të shteteve të QUINT-it, nëpër emisione televizive shpalosën sërish kërkesat e tyre. Kryeministri Kurti në anën tjetër, me publikimin e një deklarate dha qëndrimin e tij.
Dinari duket të jetë në mes të kësaj situate e cila ka QUINT-in në njërën anë, e qeverinë në tjetrën.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka paralajmëruar pasoja në cilësinë e partneritetit me Kosovën, në rast se kryeministri Albin Kurti, nuk dëgjon kërkesat e SHBA-së për çështje të ndryshme.
“Në masën që qeveria është e përgjegjshme për gjërat që ne besojmë se janë të rëndësishme dhe të cilat besojmë se e avancojnë trajektoren evropiane dhe euro-atlantike të Kosovës, rrit partneritetin tonë. Në masën që qeveria nuk përgjigjet kjo ndikon në cilësinë e partneritetit tonë”, ka deklaruar Hovenier në RTV 21.
“Nuk është gabim të thuhet se jemi të shqetësuar dhe do të donim që të shihnim përgjegjshmëri më të mëdha ndaj kërkesave tona nga ajo që ne po shohim se kemi në këtë kohë”
Ambasadori francez ka thënë se ndonëse vendet e QUINT-it përkrahin këtë rregullore pasi synim ka rregullimin bankar dhe financiar në Kosovë megjithëse siç thotë ai gjatë kësaj periudhe tranzicioni duhet të ketë më shumë informim e konsultime para se të implementohet.
“Kërkesa jonë që e kemi bërë, ne dhe vendet e QUINT-it është që të bëhet një tranzicion para se të implementohet kjo rregullore, duhet të ketë më shumë konsultime dhe informata para se të implementohet. Ne bëjmë thirrje për pezullimin e kësaj rregullore për hir të informimit të duhur të popullatës, dhe mundësinë e gjetjes së zgjidhjeve së mundshme teknike”, ka deklaruar Guerot.
Kurse Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës e cila ka të bëjë me ndalimin e dinarit, nuk është kritikuar nga vendet e QUINT-it, por mënyra se si është implementuar.
“Kjo është bërë në një mënyrë që nuk do të duhej të bëhej. Njerëzit duhet të jenë të informuar para së gjithash dhe nuk e kritikojmë rregulloren por ne shtetet e QUINT-it por me mënyrën se si është implementuar dhe njerëzit nuk janë informuar dhe janë frikësuar sidomos në një ambient të ndjeshëm të cilin e kemi. Kemi dialogun, kemi bisedimet andaj nuk nevojiten kërkesa shtesë dhe nuk duhet të eskalojnë tensione shtesë dhe nuk është mënyra të cilën duhet ta përcjellim”, tha ai.
Kurti në anën tjetër, ka thënë se ky vendim është i BQK-së.
“Kjo rregullore nuk e targeton Dinarin e Serbisë. Banka Qendrore ka kërkuar, me të drejtë, që transaksionet joformale që kryhen në Dinarë të Serbisë të formalizohen; prandaj, ekzistenca dhe vazhdimi i tyre kishin qenë të kundërligjshme. Monedha zyrtare e Kosovës është Euro dhe rregullorja vjen thuajse 16 vjet pas deklarimit tonë të pavarësisë. Ky vendim është përgjegjësi themelore e Bankave Qendrore, duke synuar rregullimin e hyrjes së monedhave të huaja brenda territorit. Mungesa e një rregulloreje të tillë mund të rezultojë në shpëlarjen e parasë, financimin e terrorizmit dhe aktivitete të tjera të kundërligjshme.Në këndvështrimin praktik, ky vendim nënkupton se pagesat e marra nga serbët e Kosovës janë ende të lejueshme, por do të deponohen në llogaritë e tyre me Euro. Natyrisht, posedimi privat i monedhave të huaja mbetet i lejueshëm”, tha ai.
“Ndryshimi gjithmonë sjell vështirësi, edhe nëse ndryshimet forcojnë demokracinë. Por një periudhë tranzicioni kurrë nuk duhet të keqinterpretohet si sulm apo ndarje e thelluar. Dhe pasiguria e shkurtër që haset gjatë kësaj periudhe nuk duhet të shfrytëzohet për përfitimin politik. Kjo periudhë ndryshimi bëhet më e vështirë jo përmes zërave të komunitetit serb këtu, por përmes nxitjes së frikësimit, kur ne, në fakt, do të duhej të ushtronim maturi dhe qetësi”, thuhet në deklaratë.
“Ne e kuptojmë se mënyra se si kjo çështje është komunikuar mund të ishte më e qartë, për të shmangur konfuzion. Megjithëse rregullorja hyri në fuqi më 1 shkurt, e kuptojmë se një periudhë tranzicioni është e nevojshme. Gjatë këtij muaji, do të sigurohemi që të japim të gjitha informacionet dhe të gjithë ndihmën e nevojshme që ky tranzicion të jetë sa më i lehtë që të jetë e mundur. Tash e tutje, zotohemi po ashtu që të promovojmë fushata të komunikimit që adresojnë këto çështje me ndjeshmërinë që e meritojnë”, theksohet më tutje.