Qeverinë e Unitetit për ta zhbllokuar shtetin e refuzuan impulsivisht dhe pa kundërmendim, thotë Abdixhiku - NACIONALE

Qeverinë e Unitetit për ta zhbllokuar shtetin e refuzuan impulsivisht dhe pa kundërmendim, thotë Abdixhiku

6 ditë më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se propozimi i tij për krijimin e një Qeverie të Unitetit Kombëtar është refuzuar – pa debat, pa reflektim dhe në disa raste, siç pretendoi ai, “edhe me ofendim”.

Propozimi, i cili ai tha se nuk e bëri për vetën apo LDK-në, u refuzua "apriori" dhe "jo me kundërmendim."

“Thirrja jonë e mbrëmshme për një Qeveri të Unitetit – për një dalje të përbashkët nga kriza – u refuzua impulsivisht sot në mëngjes. Jo me debat. Jo me kundërmendim, por me refuzim apriori. Në disa raste, edhe me ofendim – sikur nuk dinë të japin një mendim pa ofenduar.” – tha kreu i LDK-së, duke shtuar se pas refuzimit u vazhdua me “të zakonshmen e pazakontë”; dështimin e 29-të më radhë për ta konstituuar Kuvendin

“Pas refuzimit, u vazhdua me të zakonshmen e pazakontë. Me rehatinë e seancave që për përmbajtje kanë vetëm numrin rendor; e 30-ta me radhë pasnesër. Ky s’guxon të jetë normaliteti ynë i ri. Gjendja e tanishme është karikaturë politike.

Në mungesë të një marrëveshje – nuk ka shumicë.
Në mungesë të një shumice – nuk ka zgjidhje.
Në mungesë të një zgjidhjeje – duhet marrëveshje politike. Pra kthehemi në fillim.”
– tha Abdixhiku.

Sipas Abdixhikut, propozimi për një Qeveri kalimtare gjithëpërfshirëse nuk ishte për interesat e LDK-së apo të tij personalisht, por për ta nxjerrë vendin nga ngërçi politik.

“Qeverinë e Unitetit, atë kalimtaren, pra të tranzicionit, atë gjithëpërfshirësen, nuk e propozova për LDK-në. As për veten. E propozova sepse shteti është bllokuar. Sepse nuk ka Kuvend funksional. Sepse nuk ka Qeveri funksionale. Sepse nuk ka përfaqësim legjitim. Sepse, mbi të gjitha, nuk ka asgjë tjetër të sinqertë që po ndodhë në prapaskenë, që na dërgon drejt një përafrimi e një zgjidhje – çfarëdo qoftë ajo." - tha ai.

Ai shtoi se Lidhja Demokratike do të vazhdojë të ofrojë zgjidhje me "një prezantim publik të Agjendës 15 pikëshe", e cila, tha ai, do t’i japë kthjelltësi unitetit.

"Andaj dhe do të vazhdojmë të ofrojmë zgjidhje. Do të vazhdojmë me prezantimin publik të Agjendës 15 pikëshe – një dokument që jep drejtim, kthjelltësi dhe qëllim vet unitetit; deri në zgjedhje të reja parlamentare. Si përmbushje e vakumit deri aty; si përmbajtje e vetme për dalje nga kriza.

Mund të refuzojnë gjithçka, sërish.

Por si LDK, do të përpiqemi të ofrojmë dhe gjejmë zgjidhje! Sepse më mirë të jemi të vetëm në përpjekjen për zgjidhje, se sa pjesë të bllokadës pa qëllim.”

Lajme të ngjashme