Qeveria ushtron ankesë në Apel ndaj vendimit të Themelores, për pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve
Qeveria e Kosovës ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit ndaj vendimit me të cilin është aprovuar në tërësi kërkesëpadia e Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës, ndërsa është anuluar si i kundërligjshëm vendimi i të paditurës- Qeveria e Kosovës, për uljen e pagave të prokurorrëve dhe gjyqtarëve, të 23 nëntorit, 2022, duke e lënë kështu në fuqi vendimin e 12 shkurtit, 2020. Kjo është bërë e ditur për “Betimi për Drejtësi” përmes një përgjigje nga Gjykata e Apelit, ku thuhet se Qeveria ka ushtruar ankesë ndaj vendimit të Themelores më 7 nëntor 2023 dhe lënda është në shqyrtim e sipër.
“Lënda është pranuar në Gjykatën e Apelit me datë 07.11.2023, ka këtë numër AA…. dhe numër të SMIL-it…, është ndarë në kolegj dhe pritet të zgjidhet sipas radhës”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Apelit.
Ndryshe Departamenti Administrativ i Gjykatës Themelore në Prishtinë, me vendimin e 13 tetorit 2023, ka vlerësuar se pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë nuk mund të ulen gjatë mandatit të tyre, pasi që janë të drejta të fituara dhe të garantuara me ligj dhe si të tilla nuk mund të cenohen.