Qeveria u vonua me letrën e Mogherinit: Letra nuk vlen për vetemenaxhimin e serbëve
Qeveria e Kosovës në fazën e fundit të dialogut me Serbinë ka filluar ta përdor letrën e ish-shefes së diplomacisë së BE-së, Frederica Mogherinit, e cila flet për natyrën e kompetencave të Asociacionit. Pala kosovare në takimin e 27 shkurtit në Bruksel ka përmendur këtë letër si argument që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive.
Mirëpo, efekti i kësaj letre mund të jetë zvogëluar pas marrëveshjes së Brukselit, e arritur më 27 shkurt, e cila në nenin 7 parasheh për vetemeneaxhimin e serbëve.
Ish-kryeministri Isa Mustafa dhe njohësit e procesit të dialogu kanë bërë me dije se letra e Mogherinit mund të vlen vetëm për Asociacionin.
Ata kanë vlerësuar se Qeveria është dashur ta përdor këtë letër para marrëveshjes se Brukselit.
Në një intervistë për gazetën Nacional, Mustafa ka deklaruar kjo letër nuk mund të përdoret si argument për të buluar vetemenaxhimin.
“Por duhet të shtoj se Letra e Mogherinit dhe autoriteti i Gjykatës Kushtetuese vlen për Asociacionin, nuk vlejnë për vetmenaxhimin (Marrëveshjen e këtij viti, pika 7). Vetmenaxhimi/vetëqeverisja janë koncepte me kompetenca ekzekutive. Prandaj, Qeveria dhe Kurti duhet t’ia sqarojnë vetes dhe opinionit se çfarë detyrime kanë marrë me vetmenaxhimin e serbëve. Letra e Mogherinit këtu nuk i mbulon. Ndërkaq, Gjykata Kushtetuese nuk ka dhënë opinion për vetmenaxhimin e serbëve”, ka thënë Mustafa,
Ai ka ftuar Qeverinë e Kosovës që të këtë kujdes me draftin e Asociacionit, i cili është prezantuar në takimin e 2 majit në Bruksel.
“Drafti flet për Asociacionin e komunave serbe, Marrëveshja e vitit 2913/2015 flet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. S’kanë asgjë të përbashkët, qoftë në titull apo në përmbajtje. Prandaj, nuk mund të shërbejë si pikënisje një dokument fantazmë, për të cilin nuk është dialoguar asnjëherë”, është shprehur Mustafa.
Edhe politologu Avdi Smajlja ka deklaruar për gazetën Nacionale se Qeveria është vonuar që këtë letër ta përdor si argument në procesin e dialogut.
“Letra e Mogherinit do te ishte dokument shumë ndihmues para marrëveshjes se fundit të Brukselit dhe Aneksit te Ohrit. Me fjalë tjera përdorimi i kësaj letre është i vonuar, përderisa kërkesa e Serbisë ka avancuar me Asocionin vetemenaxhues-veteqeverises, i cili shkon përtej asaj që parashihet në këtë letër. Kjo letër e Mogherinit do të duhej përdorur para marrëveshjes se fundit te Brukselit, gjegjësisht për të mos lejuar zhvillimin me tutje të kërkesës për asociacion në nivelin e vetemenaxhmit, neni 7”, ka thënë Smajljaj.
Sipas tij, kjo letër tani është me pak e fuqishme sesa në kohën që është shkruar.
“Si çdo herë, me vonese në kohë, edhe kësaj radhe, kjo letër është më pak e fuqishme sesa në kohen kur është bërë, për shkak te nenit 7 te marrëveshjes së fundit. Thirrja në këtë letër tani mund të shërbejë për të blerë kohë, edhe pse duhet parë se a është në interesin e vendit vonimi i proceseve në rrethana të zhvillimeve dinamike që kanë ndikim edhe në rastin tonë”, ka deklaruar Smajljaj.
Përmbajtja e letrës së Mogherinit
Letra e ish-shefes së diplomacisë evropiane, Frederica Mogherin, jepte garancinë që Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.
Ish-shefja e diplomacisë në letrën e saj tregonte se Asociacioni i komunave me Shumicë Serbe do të jetë në harmoni me Marrëveshjen e Parë dhe ligjet e Kosovës.
“Në kontekstin e diskutimit tonë për themelimin e Asociacioni/ Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, dua të konfirmoj se është kuptim i BE-së, se Asociaciono/Bashkësia - në harmoni me Marrëveshjen e Parë dhe ligjet e Kosovës - nuk do të konstituohet si nivel i tretë i qeverisjes dhe nuk do ketë fuqi ekzekutive. BE, në ushtrimin e rolit të tij si fascilitator i dialogut Prishtinë-Beograd do të vazhdojë të monitorojë respektimin dhe implementimin nga të dy palët të Marrëveshjes së Parë dhe marrëveshjeve të tjera të arritura në dialog”, thuhet në letrën e Mogherinit.
Këtë letër, që dikur e kundërshtonte, tani kryeministri Albin Kurti po e përdor si referencë në procesin e dialogut me Serbinë për të kundërshtuar Asociacionin.
Të njëjtën gjë e ka bërë edhe mbrëmë. Pas takimit me presidentin e Serbisë në Bruksel, ai ka thënë se statuti duhet ta merr parasysh atë letër.
“Zbatimi i nenit 7 të Marrëveshjes Bazë, bashkë me nenin 10, duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës(me vendimin shoqërues të Gjykatës Kushtetuese të datës 23 dhjetor 2015) me letrën Garantuese të ish-përfaqësueses së lartë Mogreni drejtuar kryeministrit të Kosovës(data 24 gusht 2015) dhe me qëndrimin e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (deklaratën e Cholet dhe Escobar-it, të datës 30 janar 2023)”, është thënë në propozimin e kryeministrit.

