Qeveria: Pas votimit të djeshëm, masat ndaj Kosovës përfundimisht të largohen
Qeveria e Kosovës edhe një herë ka reaguar për votimin e djeshëm në komunat veriore në Republikën e Kosovës.
Qeveria në këtë reagim, thotë se ‘se ky proces ishte nxitur nga kërkesa e vazhdueshme për zgjedhje të reja në këto komuna, duke marrë shkas mungesën e legjitimitetit të plotë të kryetarëve aktualë pas daljes së ulët të qytetarëve në zgjedhjet e 23 prillit 2023”.
Në fund të reagimit, Qeveria thotë se ‘pa marrë parasysh rezultatin, masat ndëshkuese duhet të largohen menjëherë’.
“Në Komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, dje u mbajt procesi i votimit për largimin ose jo të kryetarëve të këtyre komunave, sipas udhëzimit administrativ, mbështetur në nenin 72 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Procesi u përmbyll pa asnjë incident. Për këtë, përgëzojmë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe institucionet tona të sigurisë.
Rikujtojmë se ky proces ishte nxitur nga kërkesa e vazhdueshme për zgjedhje të reja në këto komuna, duke marrë shkas mungesën e legjitimitetit të plotë të kryetarëve aktualë pas daljes së ulët të qytetarëve në zgjedhjet e 23 prillit 2023. Ai filloi me grumbullimin e nënshkrimeve të 20% të nevojshëm të qytetarëve me të drejtë vote. Megjithatë, Lista Serbe që fillimisht ishte shkaktare e zgjedhjeve të 23 prillit përmes dorëheqjes së kryetarëve të saj, e pastaj inicuese e votimit të djeshëm, përsëri bojkotoi procese demokratike, përkundër thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar dhe interesit qytetar.
Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje për pjesëmarrjen e ulët në votimin e djeshëm dhe falënderon ata të cilët ushtruan të drejtën e tyre demokratike dhe ligjore. Jemi të vetëdijshëm ndaj rrethanave në katër komunat në veri të Kosovës, sidomos trysnisë së madhe të ushtruar nga autoritetet e Beogradit ndaj qytetarëve serbë të Kosovës në këto komuna. Rezultatet e votimit të djeshëm tregojnë që nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktualë.
Me këtë rast, Qeveria e Republikës së Kosovës, shpreh edhe një herë mbështetjen dhe gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në përmbushjen e përgjegjësive të tyre dhe shërbimin ndaj qytetarëve të këtyre katër komunave, pa dallim.
Me përfundimin e këtij procesi, pa marrë parasysh rezultatin, Republika e Kosovës ka përmbushur obligimin e saj ndaj qytetarëve të saj dhe përgjegjësinë e marrë nga dakordimi me Bashkimin Evropian për deeskalimin e situatës në veri të vendit. Andaj, pas votimit të djeshëm, është koha që masat e padrejta ndaj Kosovës përfundimisht të largohen”, thuhet në reagimin e Qeverisë.
Ndërkohë, edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një reagim mbrëmë, ka kërkuar largimin e menjëhershëm të masave ndaj Kosovës.
“Me organizimin e procesit të sotëm, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-ja. Masat e padrejta kundër Kosovës duhet të hiqen menjëherë”, ka shkruar Osmani veç tjerash.
“Kosova i dha qytetarëve të komunave të veriut mundësinë që t'i largojnë kryetarët aktual dhe t'i zgjedhin kryetarët e rinj.
Qytetarët në masë të madhe nuk e shfrytëzuan këtë mundësi. Për fat të keq, kjo kryesisht ndodhi për shkak të presionit të Beogradit, të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale. Edhe njëherë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër. Edhe njëherë, Vuçiqi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë.
Por, Kosova sërish dëshmoi maturi, organizim e respektim të plotë të ligjeve e kushtetutës, duke ju ofruar të gjitha komuniteteve, pa dallim, mundësinë që ata të zgjedhin vetë se kush dëshirojnë t'i përfaqësojë. E falënderoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucionet tona të sigurisë, si dhe partnerët tanë për punën, përkushtimin dhe bashkëpunimin.
Me organizimin e procesit të sotëm, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-ja. Masat e padrejta kundër Kosovës duhet të hiqen menjëherë”, ka shkruar ajo.