Qeveria pas drekës së ftuar nga von der Leyen: Kurti kërkoi heqjen e masave, u fol edhe për Procesin e Berlinit
Qeveria e Kosovës ka dalë me një komunikatë për media, pas drekës së punës së ftuar nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ku morën pjesë liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Fillimisht, në njoftim thuhet se Kurti është shprehur i gatshëm për të vazhduar bashkëpunimin me presidenten e KE-së.
“Kryeministri Kurti fillimisht uroi znj. von der Leyen për rizgjedhjen e saj si Presidente e Komisionit Evropian dhe u shpreh i gatshëm për ta vazhduar bashkëpunimin e afërt me qëllim avancimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe integrimin evropian të Kosovës”.
Tutje, thuhet se Kurti ka folur për zgjerimin e BE-së, si dhe ka kërkuar heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat i ka quajtur “të padrejta dhe jo fer”.
“Theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian, sidomos pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, është përgjigjja më e mirë për të gjithë ata që kërcënojnë paqen dhe unitetin e Evropës. Në këtë kontekst, kryeministri Kurti bëri thirrje që të trajtohet aplikimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Kosovës t’i jepet pyetësori dhe statusi i vendit kandidat për anëtarësim. Në të njëjtën kohë, kërkoi që masat restriktive mbi Kosovën, të cilat i quajti të padrejta dhe jo fer, të hiqen.” – thuhet në komunikatë.
Në takim, sipas Qeverisë është folur edhe për Planin e Rritjes dhe Procesin e Berlinit, dy procese në të cilat është paralajmëruar se mund të ketë ngecje, pas kërkesës së Gjermanisë.
Sa i përket Planit të Rritjes, kryeministri Kurti u shpreh se Kosova ka qenë një ndër vendet e para që ka dorëzuar Agjendën e Reformave, duke treguar kështu përkushtimin e saj për Planin e Rritjes.
“Në prag të 10-vjetorit të Procesit të Berlinit, ai i konfirmoi mbështetjen për këtë proces, teksa shprehu angazhimin e tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për marrëveshje të reja, dhe në të njëjtën kohë theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të katër marrëveshjeve të mobilitetet të nënshkruara në vitin 2022 në Berlin.
Çështje të tjera që u adresuan nga kryeministri gjatë drekës ishin edhe Programi i Transportit dhe Lehtësimit, tregu unik digjital, Zona e Përbashkët Evropiane e Pagesave (SEPA), Tregu i Përbashkët Rajonal dhe bashkëpunimi e siguria rajonale.” – thuhet në fund.