Qeveria nxjerr raport hetimor për sulmin në Banjskë: Grupi i Radoiçiqit ishte rekrutuar dhe trajnuar nga Serbia
Qeveria e Kosovës ka hartuar një raport preliminar hetimor për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.
Sipas këtij raporti, të cilin e ka siguruar portali “Paparaci”, në këtë sulm ka qenë i përfshirë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe strukturat serbe të sigurisë.
“Sulmi i Banjskës më 24 shtator 2023 u krye nga një grup paraushtarak i cili ishte rekrutuar, trajnuar dhe caktuar posaçërisht për këtë qëllim, i pajisur me armatim të rëndë të siguruar nga shteti i Serbisë. Grupi paraushtarak vepronte nën komandën operative të strukturave qeveritare serbe, përkatësisht ushtrisë serbe dhe agjencive të inteligjencës”, është thënë në raport, duke dhënë detaje tjera.
“Qëllimi i sulmit ishte nxitja e një konflikti dhe përshkallëzimi më të gjerë duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në strukturat shtetërore të Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe humbjen e jetëve. Kjo përfshinte sfidimin, kërcënimin dhe vrasjen potenciale të anëtarëve të forcës ndërkombëtare paqeruajtëse KFOR-it, si dhe të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Vrasja e qëllimshme e policit të Kosovës z. Afrim Bunjaku dhe tentativa për të vrarë policët e tjerë, ilustron brutalitetin e pamëshirshëm me të cilin u zbatua strategjia. Është e qartë se në rast se do të realizoheshin planet për zgjerimin e konfliktit, do të ishte përfshirë KFOR-i dhe personeli tjetër ndërkombëtar i sigurisë”, thuhet tutje.
Raporti që përgatitur më 20 tetor tregon për lidhjet e Milan Radoiçiqit me strukturat serbe të sigurisë.
“Siç tregohet në këtë raport, Radoiçiq është thellësisht i ngulitur në strukturën e sigurisë së shtetit të Serbisë, duke filluar nga policia e deri te ushtria dhe shërbimet e inteligjencës në nivele të ndryshme të zinxhirit komandues”, thuhet në raport.
Më tej, në raport tregohet edhe synimet e presidentit serb me këtë aksion.
Vuçiqi, sipas raporti, përmes këtij aksioni synonte ta fuste në Kosovë ushtrinë serbe.
“Në përgatitje për një skenar të tillë, Vuçiq shpesh përdor fushata të gjuhës së urrejtjes dhe poshtëron situatën e qytetarëve serbë në Kosovë. Ai ka përdorur terma nënçmues për të përshkruar figurat politike në Kosovë, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, dhe ka lejuar mediat e tij të përdorin ofendime që kanë objektiv etninë shqiptare”, është thënë në raport.