Qeveria Kurti miraton projektligjin për sigurimin shëndetësor
Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor, të cilin projektligj kryeministri Albin Kurti e cilësoi si të rëndësishëm, duke theksuar se shëndetësia po ndryshohet rrënjësisht. Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kurti vlerësoi se ky projektligj synon të garantojë sigurim publik shëndetësor për të përmirësuar cilësinë e jetës.
“Synimi ynë është që të investojmë në shërbime shëndetësore dhe të garantojmë sigurim publik shëndetësor për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe të jetësohet një gjë e tillë me miratimin e projektligjit për sigurimin shëndetësor. Njerëzit në nevojë do të kenë mbrojtje më të mirë sociale, që ndihmon për të zvogëluar si varfërinë, ashtu edhe pabarazinë” – tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e sqaroi rëndësinë e këtij projektligji, ndërsa i gjithë kabineti e votoi këtë projektligj.
Deklarata e Kurtit
Sjellim ndër mend që Kurti dje paralajmëroi lëvizje në lidhje me sigurimet shëndetësore, duke thënë se “janë të rëdnësishme dhe zotim”.
“Padyshim që sigurimet shëndetësore janë shumë të rëndësishme dhe ato janë edhe zotim i yni. Ligjin për Sigurime Shëndetësore jemi duke e përgatitur dhe nëse jo në mbledhjen e ardhshme, e cila mbahet nesër, atëherë në mbledhjen tjetër të radhës së Qeverisë do të jetë për miratim dhe më pastaj do t’i ndjekë procedurat për Kuvendin e Kosovës. Duhet ta kemi edhe një gjë parasysh se kur të bëhen sigurimet shëndetësore tek qytetari do të ketë një kosto shtesë sepse sigurimet shëndetësore nënkuptojnë që të paguajmë paraprakisht për atë që eventualisht mund të na ndodhë më vonë” – tha Kurti, transmeton Nacionale.
“Prandaj nuk duhet parë sigurimet shëndetësore si njëlloj shkopi magjik i cili do të na i parandalojë sëmundjet ose do të na i eliminojë ato nëse i kemi” – u shpreh Kurti gjatë një prononcimi për media.
Kritika e opozitës
Për këtë deklaratë, Kurti u kritikua nga opoizta dhe gazetarët e shëndetësisë. Bekim Haxhiu, deputet i PDK-së, vlerësoi se kjo deklaratë tregon se Kurti nuk do t’i bëjë sigurimet shëndetësore.
“Albin Kurti sot publikisht e paska pranuar se ka dështuar në sektorin e shëndetësisë.
Ai e paska pranuar se ka mashtruar kur ka premtuar se në mandatin e tij do të implementohen Sigurimet Shëndetësore.
Për 4 vite Kurti dhe Qeveria e tij nuk kanë arritë ta sjellin në Kuvend, Ligjin për Sigurimet Shëndetësore për plotësim dhe ndryshim të disa neneve të tij.
Gjithashtu ka dështuar në miratimin e Ligjit për Shëndetësi” – shkroi dje deputeti i PDK-së.
Ndërsa deputeti i LDK-së, Armend Zemaj tha se kjo projektligji për sigurime shëndetësore është improvizim para zgjedhjeve.
“Ligji për Sigurime Shëndetësore- Improvizim para zgjedhjeve, sa për të mbuluar dështimin katër vjeçar të rregullimit një prej komponentëve më të rëndësishëm në avancimin e marrjes së shërbimeve shëndetësore. Katër vite dështim për funksionalizimin e sistemit informativ shëndetësor ku pa të cilin edhe ligji mbetet i pazbatueshëm. Paaftësia, mashtrimi dhe improvizimet mbarojnë me 9 shkurt” – ka vlerësuar Zemaj për Front Online.
Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, tha se për të pasur sukses, Qeveria Kurti është dashur që të fillonte me sigurimet shëndetësore që në vitin e parë.
“Sigurimet shëndetësore janë obligative në çdo vend dhe këto sigurime shëndetësore kanë qenë një premtim i dhënë para shumë kohe pra në momentin kur në muaji shkurt të vitit 2021 kur qeveria Kurti ka ardhur në pushtet. Ky ligj kërkon kohë, kërkon investime dhe nuk mund të realizohen në fund të një mandati qeverisës. Një qeverisje serioze që dëshiron të impelementojë sigurimet shëndetësore duhet që të startojë që në vitin e parë dhe nëse arrin që të bëjë implementimin e sigurimeve shëndetësore deri në fund të mandatit do të jetë sukses” – ka thënë Dreshaj.