Qeveria Kurti ia numëron sërish ngjarjet vetes, i harron krejt barrikadat - NACIONALE

Qeveria Kurti ia numëron sërish ngjarjet vetes, i harron krejt barrikadat

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria Kurti ia ka numëruar vetes pesë ngjarjet kryesore të javës përsëri. Çka vlerësoi tash?

Duket se koncepti i ‘ngjarjes’ sipas Qeverisë Kurti II është më i ngushtë se sa e jep fjalori ynë apo çfarëdo fjalori tjetër. Shumë e shumë ngjarje të rëndësishme, përnjëmend të rëndësishme, nuk janë futur në këtë listë.

Fillimisht, të ndalemi e të shohim se çka ka vlerësuar Qeveria Kurti II e më pas të shohim edhe çka kanë harruar të vlerësojnë.

Ngjarjet sipas Qeverisë Kurti II

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka publikuar listën në fjalë mëngjesin e sotëm.

Ngjarja më e rëndësishme është vlerësuar të jetë aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian – e bërë bashkë me ngjarjen tjetër që institucionet e BE-së u pajtuan për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, më së largu me 1 janar 2024.

Kjo e fundit, natyrisht se është një ngjarje e rëndësishme, por se si mund të futen dy ngjarje në një e të konsiderohen një ngjarje momentalisht nuk dihet.

Si ngjarje e dytë më e rëndësishme u vlerësua miratimi i ndryshimeve për projektligjin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. E treta ishte miratimi i buxhetit.

Më pas, janë vlerësuar edhe dy ngjarje të tjera të cilat deri tash Nacionale nuk ka arritur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur: rritjen e pretenduar prej 44 për qind të eksportit të produkteve bujqësore dhe ushiqimore si dhe përfitimin e 202 mijë e 252 familjeve nga subvencionimi i dyfishtë i Qeverisë për kursim të energjisë elektrike për muajin tetor.

Çka harroi Qeveria Kurti II?

Gjatë kësaj jave kanë ngjarë shumë gjëra. Mes tyre mjaft të spikatura ishin edhe barrikadat e vendosura nga serbët lokalë në veri të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i zbutur u shpreh se po priste KFOR-in që t’i hiqte ato barrikada. Por në anën tjetër, nuk ka asnjë ide se si të rivendoset lëvizja e lirë në komunat veriore me shumicë serbe apo të shtensionohet situata politike.

Një tjetër ngjarje e rëndësishme ishte edhe miratimi i Draft-Strategjisë për Energjinë në Qeverinë e Kosovës. Gazeta Nacionale e kishte tematizuar këtë draft-strategji, që përthekon një periudhë kohore deri më 2031, dhe e cila pa dyshim se do të meritonte më shumë vëmendje.

Një ngjarje tjetër e rëndësishme ishte edhe dënimi i komandantit Salih Mustafa, i njohur me nofkën Cali, me 26 vjeçar burg nga ana e Gjykatës Speciale. Për këtë ngjarje, foli madje edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Lajme të ngjashme