Qeveria hesht për atentatin që po i përgatitej Abdixhikut e tre deputetëve tjerë të LDK-së - NACIONALE

Qeveria hesht për atentatin që po i përgatitej Abdixhikut e tre deputetëve tjerë të LDK-së

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Reagojnë shpeshherë kur iu konvenon, por jo edhe kur në të përfshirën kundërshtarë direktë politikë, siç është rasti i LDK-së.

As më i vogli deklarim nuk është regjistruar deri më tani për atentatin që po i përgatitej Lumir Abdixhikut e deputetëve të tjerë të LDK-së, Arben Gashi, Armend Zemaj e Avdullah Hoti.

Nacionale ka dërguar pyetje edhe në drejtim të zëdhënësit të qeverisë, por që i njëjti nuk ka kthyer përgjigje deri më tani.

Kështu nuk ka qenë kur ndodhnin raste të tjera të kësaj natyre. Kryeministri Albin Kurti, në momentin kur ishte vrarë Blerand Kadrijaj, ish-kandidat i PDK-së për Deçan, saktësisht në shtator të vitit 2021, kishte bërë thirrje të menjëhershme që policia ta hetonte rastin, por jo edhe për këtë të sontmin.

“Sonte u tronditëm nga ngjarja e rëndë që ndodhi në qytetin e Pejës. Sipas konfirmimit zyrtar të Policisë së Kosovës në vendin e ngjarjes kanë mbetur të vrarë dy qytetarë të vendit tonë, kandidati për kryetar të komunës së Pejës, A. A., dhe, ish kandidati për kryetar të Deçanit, B. K., të dy nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave, miqve dhe bashkëpunëtorëve nga Partia Demokratike e Kosovës. Në këto momente të vështira bashkëndjejmë me dhimbjen e tyre për këtë humbje kaq tragjike. Ftoj organet e rendit që me seriozitetin më të lartë, sa më parë të zbardhin rastin e kësaj vrasje të dyfishtë”, thoshte atëbotë Kurti.

Kujtojmë, duke u bazuar edhe në sondazhe, deri më tani Abdixhiku po shihet si konkurrenti më serioz i Kurtit.

Duhet përmendur gjithsesi faktin se për këto raportime fillimisht shkroi Express, kurse më pas Nacionale mësoje detaje ekskluzive, për emrat e deputetëve, atë se kush janë të dyshuarit, për të cilët gazeta mësoi se janë shqiptarë të Kosovës.

Këta të fundit, një pjesë jeton e vepron në Kosovë, një tjetër në Diasporë.

Nacionale gjithashtu nga burimet ka kuptuar se Armend Zemaj ka deponuar dëshminë në Polici, ndërsa të dyshuarit ranë në përgjime në Gjermani.

Lajme të ngjashme