Qeveria afër t’i përgjigjet propozimit amerikan për dinarin, Osmani optimiste se “shumë shpejtë” - NACIONALE

Qeveria afër t’i përgjigjet propozimit amerikan për dinarin, Osmani optimiste se “shumë shpejtë”

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, njoftoi se “dështoi” ta bind Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, rreth propzimeve amerikane për një zgjidhje të përkohshme për çështjen e pagesave të Serbisë për komunitetin serb, por Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se në fakt ka “pajtim të pjesshëm” dhe se për pjesën tjetër pritet që të ketë “shumë shpejtë” edhe pajtim të plotë.

Duke folur gjatë një vizite në Komunën e Lipjanit, Osmani – brenda diskursit amerikan – tha se zgjidhja e çështjes së pagesave/pensioneve të serbëve “është urgjente” dhe se tashmë “ekziston pajtueshmëri për një të propozimit amerikan”.

Me ndihmën e tyre kemi arritur që tash e tutje ato dërgesa, ajo ndihmë financiare që vjen nga Serbia, të arrijë në euro dhe jo në dinarë, dhe kjo besoj që e zgjidh një pjesë të madhe të problemit me të cilin jemi ballafaquar në të kaluarën”.

Është urgjente që kjo çështje të zgjidhet, sepse jo vetëm që u ndihmon qytetarëve që t’i tejkalojnë disa prej sfidave me të cilat ballafaqohen, por në të njëjtën kohë, të jemi shumë të sinqertë, Kosova ka probleme më të mëdha, ndër të tjera probleme të sigurisë”, tha Osmani.

Ideale, sipas Osmanit, do të ishte që kjo çështje të zgjidhej nesër në bisedimet në nivel kryenegociatorësh në Bruksel të thirrur nga Përfaqësusesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak.

Escobar njoftoi ditë më parë se Kurti ka refuzuar propozimin amerikan i cili parashihte një zgjidhje të menjëhershme përkohësisht për kryerjen e pagesave në euro nga Serbia.

Unë i kërkova kryeministrit ta suspendojë vendimin përderisa ne, bashkë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeverinë e Kosovës, punojmë për një zgjidhje më afatgjate që u përshtatet nevojave tuaja, pra transfereve elektronike në euro përmes sistemit të Kosovës. Por, tani, ne duhet të bëjmë diçka urgjente. Fatkeqësisht, nuk pata sukses për ta bindur atë për këtë”, ka deklaruar Escobar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Tri propozimet e BQK-së:

BQK i ka dërrguar “tri opsione” BQS-së dhe BE-së, në lidhje me atë se si shteti serb do të mund të kryente pagesat te komuniteti serb i Kosovës në euro.

Opsioni i parë në atë që BQS-ja t’i dërgojë fonder në kanal të drejtpërdrejtë te BQK-ja, dhe që më pastaj BQK-ja të bëjë shpërndarjen e tyre në euro te xhirollogaritë e përdoruesve individualë.

Opsioni tjetër: që BQS-ja t’i transferojë pagesat në një bankë ndërkombëtare në të cilën edhe BQK-ja ka llogari, dhe që mëpastaj BQK-ja të mund të bëjë distribuimin e pagesave te përdoruesit serbë të Kosovës në euro.

Opsioni tretë shkon në atë të nivelit të bankave komerciale – siç kishte qenë rasti me bankën komerciale NLB.

Qeveria kosovare – gjer më tash në diskursin publik – ka mohuar se çështja e rregullores së BQK-së mund të bëhet temë e dialogut në Bruksel, me kreun e qeverisë, Albin Kurti, duke thënë se çështja e dinarit “është e panegociueshme”; por që, megjithatë, më 19 mars, është konfirmuar e kundërta.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë më të rreptët ndaj qeverisë kosovare – jo në legalitetin dhe legjitimitetin e vendimit, por në etikën e zbatimit – duke i akuzuar të fundët se nuk kanë marrë në konsideratët dëmet që shkaktohen te pjesët më të cënueshme si invalidët, personat me aftësi të kufizuara, studentët (serbë) etj.

Lajme të ngjashme