Qesharake: Mehaj bën propagandë sikur FSK-ja të kishte sisteme kundërajrore “Avenger” - NACIONALE

Qesharake: Mehaj bën propagandë sikur FSK-ja të kishte sisteme kundërajrore “Avenger”

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, në shtator ka publikuar një video në Facebook. Gjithçka do të ishte në rregull, sikur në këtë video të mos shfaqej sistemi i avancuar amerikan për mbrojtje kundërajrore, “Avenger”, të cilin e kanë vetëm Shtetet e Bashkuara dhe katër shtete të tjera.

Pasi të jenë shfaqur disa ushtarë të FSK-së në video, aty shihet hedhja e një rakete nga një njësi e sistemit kundërajror “Avenger”, pastaj dy njësi të tilla në lëvizje si dhe një njësi tjetër duke u sjellë në vend. Gjatë shfaqjes së këtyre pamjeve, në video shfaqen titrat me këtë përmbajtje:

“Me mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë, Ministria e Mbrojtjes ka investuar në rritjen e kapaciteteve operacionale dhe profesionale të FSK-së.”

Më pas, në video jepen disa statistika për rekrutimin e pjesëtarëve të rinj të FSK-së si dhe disa të arritura të tjera për shkollimin dhe trajnimin e ushtarëve jashtë vendit.

Në postimin ku e ka publikuar videon, Mehaj, ndër të tjera, ka shkruar: “Krahas kapaciteteve profesionale kemi investuar edhe në blerjen e pajisjeve ushtarake. Deri në 96% më shumë se në vitet paraprake kemi investuar për të pajisur ushtrinë me mjetet më moderne luftarake tokësore, armë, dronë dhe sisteme mbështetëse të cilat të kombinuara me formacionet ushtarake të kuadrove profesionale përbëjnë element të fuqishëm të ushtrisë sonë.”

Çfarë është sistemi kundërajror “Avenger”?

Sistemi kundërajror “Avenger” prodhohet në Shtetet e Bashkura nga kompania “Boeing”. Numri i njësive të prodhura është mbi 1.100 që nga vitet e tetëdhjeta.

Një njësi e këtij sistemi peshon 3.900 kilogramë, është e gjatë 4,95 metra, e gjerë 2,18 metra dhe e lartë 2,64 metra. Në këtë sistem përdoren raketat e tipit “FIM-92 Stinger”. Armatim dytësor është mitralozi i tipit FN M3P.

Këto sisteme janë në operim nga forcat ushtarake të Shteteve të Bashkuara, Egjiptit, Tajvanit, Irakut dhe Bahrejnit. Së fundi është njoftuar se Shtetet e Bashkuara do t’ia dhurojnë edhe Ukrainës katër sisteme të tilla.

Sipas të dhënave zyrtare, FSK-ja është forcë e armatosur me armatim të lehtë dhe nuk ka sisteme të avancuara për mbrojtje kundërajrore.

Lajme të ngjashme