“Qerrja para kalit”: Kuvendi vendos për dërgimin e FSK-së në Gaza pa e ratifikuar Bordin e Paqes
Kuvendi i Kosovës dje ka vendosur për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gaza, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza.
Me 89 vota “për” dhe asnjë kundër deputetët e pozitës dhe opozitës i dhanë mbështetje vendimit të Qeveri për të dërguar ushtrinë në një mision jashtë vendit.
Megjithatë, një veprim i tillë nuk po shihet në vijë me hierarkisë së gjerave.
Kjo pasi Kuvendi ende nuk e ra ratifikuar Marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, në të cilën parashihet dërgimi i FSK-së në Gaza.
Pushteti pa ndonjë arsyeje po e zvarritë ratifikimin e kësaj marrëveshje, duke mos e dërguar për votim në Kuvend.
Deputetët e opozitës e kanë kritikuar Qeverinë Kurti për një gjë të tillë.
Ata e kanë kërkuar që sa më parë kjo marrëveshje të sillet në Kuvend për votim.
Anëtari i PDK-së në Komisionin Parlament për Politikë të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë se fillimisht është dashur që të ratifikohet Bordi i Paqes.
“Sikurse gjenerali Rrahman Rama edhe unë e mbështes plotësisht fjalën që e mbajti ministri dhe misionin e FSK-së atje, edhe si PDK kemi pasur një qëndrim të qartë. Por, dua që përsërisë dhe të insistoj në atë pjesën që fola paradite. Hierarkia e gjerave do të ishte që fillimisht të miratohej Bordi i Paqes dhe është absurde se si me 22 janar është mbajtur takimi i par i Bordit të Paqes, më 12 shkurt ishte presidentja ka dërguar këtë traktat në Kuvend të Kosovës, më 13 shkurt i është dërguar Qeverisë së Kosovës”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera.
“Për 30 ditë nuk ka pasur ndonjë opinion ligjor me qellim që para se të merret ky vendim, që jemi të gjithë për ta dërguar FSK-në në këtë mision të shenjt, ta pasqyron vullnetin politik, prandaj edhe fjalimet që i mbajtët janë përtej vendimit që ka marrë qeveria. Se ne po marrim vendim pa e deklaruar mirëfilli një vullnet politik. Dhe këtë vullnet politik kemi mujtë me e deklaruar këtë vullnet politik duke e miratuar Miratuar Bordin e Paqes”, ka thënë Hoxhaj.
Ndaj pretendimeve të deputetit të PDK-së ka reaguar deputetja e VV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, e cila është edhe kryetare e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme.
Ajo ka bërë me dije se askush prej deputetëve nuk është kundër ratifikimit të Bordit të Paqes.
“Po e përsëris edhe një herë, askush nuk po kërkon që të preket teksti i marrëveshjes, sepse nuk është e mundur të bëhet një gjë e tillë edhe po deshëm. Askush nuk po kërkon të prek tekstin e marrëveshjes dhe po e ripërsërisë që askush prej deputetëve që është anëtar i Komisionit për Politikë të Jashtme nuk është kundër ratifikimit të kësaj marrëveshje”, ka thënë ajo.
Kurse, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se miratimi i dërgimit të FSK-së në Gaza para miratimit të Bordit të Paqes ia rikujton një metaforë të kryeministrit Albin Kurti.
“Kjo punë i përngjan asaj që kryeministri e thotë: kjo punë po i përngjan kalit dhe qerres. Për ironi të fatit shumica po e sjell këtë që po e thotë ministri që është për nder me e kalu, që është për nder ne me e miratu edhe Bordin e Paqes, por dy çështje që janë diskutuar në komision janë për shqetësim. Jo për ne si deputetë, sepse ne jemi për këtë punë, por për aleatin tonë”, ka thënë Haziri, duke shtuar se mosmiratimi i Bordit të Paqes mund t`i dëmtojë raportet e Kosovës me ShBA-të.
“Ne mundemi me i quajt ata aleat, por sa na quajnë ata neve aleat, në rastet kur dëshirojmë që një ligj me 4 nene dhe nenin e dytë e diskutojmë se pse janë thanë dy shqetësime sepse qeveria ende nuk ka dhënë opinion sepse sponzor i ligjit është ish-presidentja dhe e dyta duhet me pas rol Komisioni për Integrime, të çështja ratifikimit të një marrëveshje ku Kosova është bërë anëtare i Bordit të Paqes. Kur dihet se kush është kryetar i atij Bordi, çka përfaqëson dhe pse nuk është specifikuar misioni i Gazës në kartën që tashmë është ratifikuar”, ka thënë ai.
Edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se kjo parti e mbështet dërgimin e FSK-së në Gaza dhe ratifikimin e marrëveshjes për Bordin e Paqes.
“AAK mbështet vendimin për dërgimin e FSK-së në Gaza, sikurse ka mbështetur anëtarësimin në Bordin e Paqes, të iniciuar nga President Trump”, ka thënë Haradinaj.
Pas vendimit të Kuvendit për dërgimin e FSK-së në Gaza, ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga deputetët që sa më shpejt të ratifikojnë edhe marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.
“Në këtë frymë uniteti dhe përgjegjësie, u bëj thirrje të gjithëve që, me urgjencë dhe në mënyrë unanime, të ratifikojnë marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, si një mekanizëm i domosdoshëm politik për koordinimin e këtij misioni ushtarak, i cili po ashtu forcon sigurinë shtetërore dhe orientimin euroatlantik, garanton sovranitetin, siguron përfaqësim të barabartë dhe krijon mundësi për thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe avancimin e njohjeve të reja”, ka shkruar ajo në profilin e saj në Facebook.